Transportonte emigrantë të paligjshëm nga Egjipti drejt vendeve të BE-së, arrestohet në Tiranë 31-vjeçari

Tirana

Transportonte emigrantë të paligjshëm nga Egjipti drejt vendeve të BE-së, arrestohet në Tiranë 31-vjeçari

Më: 19 janar 2026 Në ora: 14:29
Foto ilustrim

Një operacion i koordinuar i Policisë së Tiranës ka çuar në arrestimin e një 31-vjeçari, i cili dyshohet se transportonte emigrantë të paligjshëm nga Egjipti, me qëllim kalimin ilegal në shtetet e Bashkimit Europian.

Si rezultat i një hetimi njëmujor, të kryer me metoda speciale dhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme kanë mundur të dokumentojnë veprimtarinë kriminale të shtetasit K. G., 31 vjeç, banues në Kukës. Ky i fundit transportonte emigrantët nëpërmjet rrugës së vjetër të Rinasit, drejt Kukësit, për t’i drejtuar ata më pas në Kosovë dhe më tej në shtete të BE-së.

Gjatë operacionit, është sekuestruar automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët dhe dy telefona celularë. Në automjetin e dyshuarit u gjetën 6 emigrantë nga Egjipti, të cilët synonin të kalonin ilegalisht në territorin e BE-së.

Policia, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vazhdon hetimet për të identifikuar personat e tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat