Një person i armatosur ka tentuar që të grabisë një bankë, në zonën e ish-parkut në Tiranë.
Një bankë e nivelit të dytë është tentuar të grabitet mesditën e sotme me armë zjarri në Tiranë. Raportohet se ngjarja ka ndodhur në zonën e ish-Parkut të Autobusëve.
Sipas informacioneve paraprake, objektiv i sulmit ka qenë një degë e një banke të nivelit të dytë, konkretisht “FiBank”.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se autori ka hyrë i armatosur dhe ka qëlluar një herë me armë automatike tip kallashnikov. Ai është identifikuar si Bardhyl Fusha.
Në vend është gjetur një gëzhojë, ndërsa plumbi dyshohet të jetë qëlluar në ajër ose në ambientet e brendshme të bankës, pa shkaktuar pasoja në njerëz.
Mësohet se autori nuk ka arritur të marrë para dhe është neutralizuar e arrestuar në kohë nga policia.
Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie, të cilat kanë rrethuar zonën dhe kanë nisur veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave. Gjithashtu, është thirrur një ambulancë për të ofruar ndihmë të menjëhershme në rast se do të kishte persona të dëmtuar, por deri tani nuk raportohet për të lënduar.