Zjarri tek kompleksi pranë QSUT-së/ Lamallari viziton në spital të lënduarit: Bëmë gjithçka për të mos patur pasoja në jetë
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka vizituar në spital, 8 të lënduarit nga flakët që përfshinë pallatet në kompleksin pranë farmacisë nr.10 në Tiranë.
Lamallari u shpreh për mediat se gjendja e 6 efektivëve zjarrfikës të lënduar dhe dy qytetarëve. Fatmirësisht siç më thanë mjekët, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
“Teksa vijon operacioni për vënien nën kontroll të plotë të zjarrit në pallatin që u përfshi nga flakët, isha në QSUT për të parë nga afër gjendjen e 6 efektivëve zjarrfikës të lënduar dhe dy qytetarëve. Fatmirësisht siç më thanë mjekët, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Prej momenteve të para të zjarrit kam qenë gjithashtu në terren bashkë me forca të Shërbimit Zjarrfikës, forca të Policisë së Shtetit dhe skuadrat e Emergjencave Civile që bënë gjithçka ishte e nevojshme për të mos pasur mbi të gjitha pasoja në jetë njerëzish”, tha Lamallari.
“Në ndihmë zjarrfikës nga Vora, Kamza e ushtria”, Cara: Flakët kanë përfshirë gjithë seksion verilindor
Është shumë shpejt për të folur për shkaqet e zjarrit te “Farmacia 10” në Tiranë. Kështu deklaroi në një deklaratë për mediat kreu i Zjarrfikësve Arben Cara, sipas të cilit zjarri tashmë është lokalizuar, por ka përfshirë të gjithë pjesën verilindore nga kati i parë deri tek i fundit.
Sipas tij ende nuk ka një bilanc të dëmeve të shkaktuara nga zjarri, teksa njoftoi se në ndihmë të zjarrfikësve të Tiranës kanë ardhur edhe nga Vora, Kamza dhe të ushtrisë.
“Jemi angazhuar maksimalisht me të gjitha kapacitete që kemi për lokalizimin e flakëve. Tashmë e kemi në kontroll kemi bërë të mundur lokalizimin e zjarrit që të mos përhapet. Mbi 50 zjarrfikës nga Tirana, Vora, Kamza, zjarrfikësit e ushtrisë i kemi këtu.
Ne kemi marrë lajmërimin për një zjarr në 16:02 dhe unë kam komunikuar me drejtorin e policisë dhe të emergjencave dhe po punojmë intensivisht. Nuk mund të flasim sa apartamente janë shkrumbuar, po ka përfshirë të gjithë seksionin nga verilindja nga kati i parë deri në të fundit”, tha ai.
Zjarri pranë QSUT, pallati ishte përfshirë nga flakët edhe në vitin 2021
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një pallat pranë QSUT, duke shkaktuar panik dhe ndërhyrje intensive të forcave zjarrfikëse.
Raportohet se kjo është hera e dytë që bie zjarr në këtë pallat.
Një ngjarje e ngjashme, por jo në këto përmasa, ka ndodhur në vitin 2021, ku gjatë punimeve në pallat ka marrë flakë fasada e ventiluar.
Ky lloj ndërtimi në fasadë, me material poliretan në formë shkume, e njohur ndryshe fasadë e ventiluar, ka qenë shkak i zjarrit vite më parë edhe në një pallat në zonën e ish-Parkut të Autobusëve.
Zjarri masiv/ 2 helikopterë dhe 50 persona në luftë me flakët, 7 të lënduar
Një zjarr masiv përfshiu një pallat në zonën e Farmacisë 10 në Tiranë, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe panik tek banorët e kompleksit. Në vendngjarje u angazhuan 8 mjete zjarrfikëse, 2 helikopterë dhe rreth 50 persona te angazhuar, ndërsa operacionit iu bashkuan edhe forcat e policisë, RENEA-s dhe ushtria për evakuimin e banorëve dhe vënien nën kontroll të flakëve.
Të gjithë banorët u larguan nga ndërtesa me ndihmën e shërbimeve emergjente, ndërsa në terren ndodhej edhe ministri i Brendshëm Besfort Lamallari për të ndjekur nga afër situatën.
Si pasojë e zjarrit, tre banorë dhe tre zjarrfikës u dërguan në urgjencën e QSUT me shenja asfiksie dhe po marrin trajtim mjekësor. Ndërkohë, e gjithë fasada e pallatit është shkrumbuar plotësisht, ndërsa autoritetet po punojnë për të përcaktuar shkakun e zjarrit, duke hetuar nëse flakët kanë nisur nga jashtë apo nga brenda ndonjë banese.
Ky nuk është rasti i parë, pasi i njëjti pallat është përfshirë nga flakët edhe në vitin 2021, kur dyshohej se zjarri kishte nisur në pjesën e jashtme të godinës.
Shkon në 7 numri i të lënduarve nga zjarri te Farmacia 10, mes tyre 3 zjarrfikës
Situata vijon të jetë dramatike në pallatin te “5 Maji” i cili është përshirë nga flakët këtë pasdite të marte.
4 qytetarë dhe 3 punonjës të zjarrfikëse janë paraqitur në urgjencën e QSUT me shenja asfiksie për shkak të zjarrit masiv që ka përfshirë një pallat në zonën e farmacisë 10 në Tiranë mbrëmjen esë martës.
Zajrri që përfshiu fasadën e pallatit vijojnë prej 2 orësh ndërsa ende ka rrezik se mund të përhapet në pallatet pranë.
Dhjetëra forca të zjarrfikëses ushtrisë dhe policisë ndodhen në zonë pa mundur të vënë nën kontroll flakët në pallat.
Ndërkohë që është vënë në shërbim edhe një helikopter i ushtrisë që po ndërhyn nga ajri.
Helikopteri i zjarreve fluturon mbi pallate, lëshon ujë nga ajri për të ndihmuar zjarrfikësit!
Forcat e Armatosura kanë mbërritur në zonën e "5 Majit" në Tiranë, në ndihmë të ekipeve të emergjencave dhe atyre të urgjencës mjekësore, pasi flakët vazhdojnë prej më shumë se një ore dhe pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme, ende nuk janë izoluar.
Mediat kanë publikuar këto pamje të helikopterit "Cougar" të Ushtrisë shqiptare, të cilin e kemi parë shpesh gjatë sezonit veror duke shuar zjarret, ndërsa sot ai po kryen një operacion shpëtimi në zonë të banuar duke lëshuar ujë nga ajri.
Për shkak përhapjes së menjëhershme të flakëve në fasadën e kullave të banimit të kompanisë "Arlis" dhe siç dyshohet, në ambientet e brendshme të apartamenteve, zjarrfikësit po hedhin ujë me autoshkallë, kanë aktivizuar sistemin emergjentë në tarracë dhe ndërkohë nga ajri është dhe helikopteri i Forcave të Armatosura.
Një punë heroike është duke u bërë edhe nga Forcat Zjarrfikëse të Tiranës, pasi efektivët e reparteve po bëjnë gjithçka për të fituar kohë e për të shpëtuar çdo jetë.
Zjarri te pallati në “5 Maj”, dy banorë dhe dy zjarrfikës mbeten të lënduar! Përfundojnë në spital
Një ngjarje e rëndë është shënuar pasditen e kësaj të marte në Tiranë, ku një pallat përballë QSUT-së në zonën e “5 majit”, është përfshirë nga flakët.
Raportohet se dy zjarrfikës dhe dy banorë kanë mbetur të lënduar nga flakët.
Flakët janë përhapur me shpejtësi në katin e sipërm të godinës.
Ndërsa ende nuk dihen shkaqet e zjarrit.
Zjarri në Tiranë, ministri i Brendshëm në vendngjarje
Zjarri që ka përfshirë një pallat në zonën e Spitalit “Nënë Tereza” ka vënë në lëvizje të gjitha institucionet.
Në vendngjarje ka mbërritur edhe ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, për të ndjekur nga afër situatën.
Deri në këto momente nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende të paqarta.
Fasada e një pallati është përfshirë nga flakët pasditen e së martës në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në zonën tek “Farmacia 10”, përballë Spitalit “Nënë Tereza”, në aksin e “5 Majit”.
Sipas raportimit flakët kanë qenë ende aktive për disa minuta, pavarësisht ndërhyrjes së zjarrfikësve për të vënë situatën nën kontroll.
E gjithë zona është mbuluar nga tymi i dendur, ndërsa zjarri ka përfshirë kryesisht fasadën e ndërtesës në një kompleks banimi.
Pamje dramatike në Tiranë/ Pallati i gjithi nën flakë, nëna largohet me foshnjen në duar
Këto pamje dramatike vijnë nga një pallat i cili mori flakë pasditën e kësaj të marte pranë spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë.
Në këto momente nuk raportohet për persona të lënduar, por dëme të konsiderueshme materiale.
Menjëherë pas konstatimit të flakëve banorët janë larguar të panikosur, mes tyre një nënë që mban foshnjen e saj në krah.
Forcat zjarrfikse kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, ndërsa po evakuohen të gjithë banorët e kompleksit.