Akullore me qumësht dhe copëza çokollate, shija e ëmbël e fundjavës

Ushqime

Akullore me qumësht dhe copëza çokollate, shija e ëmbël e fundjavës

Më: 6 gusht 2022 Në ora: 20:15
Ilustrim

E lehtë, e shëndetshme dhe me shije të freskët. Akullorja është, pa dyshim, një delikatesë fantastike, e cila shijon pa masë, sidomos tani që temperaturat janë rritur.

Më poshtë, gjeni një recetë të mrekullueshme të përgatitjes së akullores me qumësht dhe copëza çokollate.

Kërkon pak përbërës, por ka shije freskuese.

Mund ta kombinoni me fruta të ndryshme, sipas dëshirës, e ta konsumoni në çdo kohë të ditës, ajo do t’ju freskojë dhe ëmbëlsojë menjëherë jo vetëm ju, por edhe familjen tuaj.

Përgatitja e akullores me qumësht dhe copëza çokollate

Përbërësit 

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

4 filxhanë çaji me qumësht

4 kokrra vezë

1 filxhan çaji sheqer

1 lugë çaji vanilje

1 lugë gjelle niseshte

1 filxhan me copëza çokollate

Përgatitja 

Si fillim, zjeni qumështin dhe lëreni të ftohet pak, ndërkohë prisni në copa të vogla çokollatën dhe vendoseni në frigorifer që mos të shkrijë.

Më pas, rrihni vezët bashkë me sheqerin dhe hidhini në tenxheren ku keni qumështin.

Merrni pak nga masa e qumështit, shkrini niseshtenë dhe më pas hidheni masën në tenxheren e qumështit.

Përziejeni mirë dhe vendosini në zjarr shumë të ngadaltë duke i përzier vazhdimisht, në mënyrë që masa të mos nisë të zjejë, pasi priten vezët.

Kur masa të trashet, largojeni nga zjarri.

Hidhini vaniljen ose nëse e preferoni një lugë çaji me kakao.

Vendoset në kupa ose në një tas të madh dhe pasi ftohet në temperaturë ambienti, futet në zonën e ngrirjes së frigoriferit.

Sapo të ftohet pak, e pëziejmë me copat e çokollatës dhe e vendosim përsëri në ngrirje.

Kur ajo të ketë ngrirë sa duhet, është gati për t’u servirur.

Shoqërohet me reçel qershie apo luleshtrydhe, fruta të thata etj.

Për një shije edhe më fantastike, këtë akullore mund ta përdorni edhe në shoqërimin e kekëve të ndryshëm apo edhe krepave të ëmbla.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat