Ambasada e Kosovës në Panama kremton 11 Vjetorin e Pavarësisë

Aktuale

Ambasada e Kosovës në Panama kremton 11 Vjetorin e Pavarësisë

Më: 21 shkurt 2019 Në ora: 18:03
Foto

Ambasada e Republikës së Kosovës në Panama në një ceremoni solemne, të mërkurën organizoi pritje për të kremtuar 11 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Në fjalimin e mirëseardhjes në këtë ceremoni me të ftuar të shumtë nga kori diplomatik, autoritete të Panamasë dhe të organizatave të ndryshme ndërkombëtare të akredituara në Panama, Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Panama, znj. Zana Rudi foli për rolin e Misionit diplomatik të Kosovës në Panama, lidhjet mes Kosovës dhe Panamasë, procesin e njohjeve si dhe avancimin e mëtejme të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe vendeve të Amerikës Latine.

“E falënderoj Qeverinë e Panamasë për marrëdhëniet miqësore diplomatike dhe për vullnetin që të bëhet porta e parë e Kosovës në Amerikën Latine që nga viti 2013. Vitin e kaluar kemi mbajtur konsultimet politike me Panamanë per ç’gjë falënderoj qeverinë panameze dhe zëvendësministrin Hincapie, i cili udhëhoqi konsultimet nga pala panameze”, tha Rudi, duke shtuar se në të kaluarën janë mbajtur takime dhe vizita që e kanë forcuar edhe më tej bashkëpunimin dhe miqësinë mes dy vendeve tona.

“Si një simbol i miqësisë dhe mirënjohjes tonë, këtë vit këtu në Panama do të vendoset statuja e Shën Terezës, shqiptares së madhe e cila erdhi në Panama disa herë. Dhe kjo ceremoni do të mbahet nën patronatin e Presidentit të Republikës së Kosovës”, tha Rudi.

Ambasadorja Rudi vuri në pah të arriturat kyçe të Kosovës gjatë këtyre 11 viteve të pavarësisë si në planin e brendshëm dhe atë të jashtëm, duke u përqendruar tek procesi i konsolidimit të shtetit, dialogu rajonal si dhe hapat e ardhshëm në marrëdhënien kontraktuale të Kosovës me Bashkimin Evropian.

“Shumë falënderime për miqtë dhe aleatët tanë për ndihmën e tyre të pandërprerë për t’u përballur me sfidat dhe për të konsoliduar shtetësinë tonë gjatë viteve. Falë bujarisë panameze dhe miqve tanë, prania jonë në rajonin e Amerikës Latine dhe në pjesë të tjera të botës po reflekton pozitivisht frytet e saj”, u shpreh Ambasadorja Rudi, duke shtuar se deri më tash Kosova ka vendosur marrëdhënie diplomatike me 80 vende dhe kanë hapur më shumë se 40 misione diplomatike në mbarë botën.

“Këtë vit ne do të hapim misione të reja diplomatike në katër vende, duke përfshirë Kolumbinë, Tajlandën, Bangladeshin dhe Ganën. Ne jemi gjithashtu anëtarë të më shumë se 50 organizatave ndërkombëtare”, theksoi ambasadorja Rudi.

Një pjesë të fjalimit Ambasadorja Rudi ia kushtoi edhe dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se viti 2019 do të jetë një vit vendimtar për finalizimin e një marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë në BE.

Ndërkaq, duke perfaqesuar Presidentin e Panamasë Juan Carlos Varela dhe zëvendëspresidenten Isabel de Saint Malo de Alvarado, z. Luis Miguel Hincapie, Zëvendësministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Panamasë fillimisht përcolli urimet e përzemërta për 11 vjetorin e Pavarësisë për Qeverinë dhe popullin e Kosovës.

Zëvendësministri Hincapie tha se dhjetë vjet nga njohja e Kosovës nga Panamaja është zhvilluar një atmosferë përzemërsie, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi duke adresuar çështjet me interes të përbashkët. Ai tha se gjatë kësaj periudhe, Panamaja dhe Kosova kanë arritur një dinamikë pozitive që filloi me hapjen e Ambasadës së Kosovës në Panama, e cila ka ndihmuar dhe zgjeruar dialogun midis dy vendeve.

“Një fazë e re në marrëdhëniet tona diplomatike filloi me inicimin e Mekanizmit të Parë Konsultimeve Politike, i cili ka avancuar marrëdhëniet dypalëshe dhe që duhet të drejtohet veçanërisht në drejtim të ndërtimit të një agjendë efektive për bashkëpunim dhe shkëmbim të përvojave, tregtisë, logjistikës dhe të sigurisë”, theksoi zëvendësministri Hincapie.

Ai vlerësoi punën e shkëlqyer të Ambasadores së Kosovës në Panama, znj. Zana Rudi, duke thënë se e puna e saj i ka forcuar marrëdhëniet me Panamanë dhe i uroi suksese Qeverisë dhe popullit të Kosovës në misionin e konsolidimit të vendit.

Panamaja ka njohur pavarësinë e Kosovës në janar të vitit 2009 kurse Ambasada e Republikës së Kosovës në Panama është hapur në nëntor 2013 dhe është ambasada e parë dhe e vetme e Kosovës në këtë pjesë të botës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat