Haradinaj: Me taksën 100 % u tregua se nuk lejojmë të rrezikohet Kosova

Aktuale

Haradinaj: Me taksën 100 % u tregua se nuk lejojmë të rrezikohet Kosova

Më: 30 qershor 2019 Në ora: 13:51
Pamje nga takimi i Aleancës

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është e vetmja parti politike në Kosovë që mund të ecë në krijimin e një vlere të re, krijimin e asaj që i mungon Kosovës, e kjo është më shumë rend, ligj, siguri, më shumë sovranitet dhe më shumë zhvillim ekonomik.

Kështu ka deklaruar kryetari i kësaj partie, njëherësh kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë Kuvendit të Punës që sot kjo parti ka mbajtur.

Haradinaj ka bërë një përmbledhje të punës në 20 muajt e tij në krye të qeverisë, ku ka përmendur ndër të tjera krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

Haradinaj: E kemi përmbyllur periudhën e sigurisë duke i dhënë mandat mbrojtës Ushtrisë së Kosovës

"Janë disa momente kyçe që e bëjnë politikën tonë të qëndrueshme madje edhe historike. Ne e kemi përmbyllur periudhën e sigurisë duke i dhënë mandat mbrojtës Ushtrisë së Kosovës, tash Kosova e ka ushtrinë e vet. Ne arritëm ta delegjetimojmë idenë e korrigjimit të kufijve që në thelb e hidhte poshtë vendimin e GjND-së dhe pakon e Ahtisarit, duke suspenduar Kushtetutën tonë e që realisht do të rezultonte edhe shpërbërjen e shtetit të Kosovës. Me taksën 100 përqind i treguam botës që jemi të zot të vetvetes dhe nuk lejojmë as Serbinë, e as një shtet tjetër ta rrezikojë Kosovën. I përmbushëm kriteret e liberalizimit të vizave dhe presim që të merr vendimin ashtu siç na tha po Gjermania, sot udhëtoj për Paris ku do të kem takime vetëm për këtë temë, se Kosova është gati e ka kryer punën e vet. Gjatë këtyre 20 muajve në qeverisje arritëm ta konsolidojmë sistemin e drejtësisë, fuqizuam gjyqtarët dhe prokurorà «t me dyfishim të pagës, rritëm numrin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, numrin e stafit profesional. Pra, që të gjithë u kthyem në përkrahje të rendit dhe ligjit, askush nuk është mbi ligjin, Kosova tash ka gjyqësorin e pavarur dhe është kompetent për ta luftuar krimin. Paralelisht iu qasëm zhvillimit ekonomik duke u orientuar në shumë drejtime, përmes taksës 100 përqind mbështetëm prodhuesin vendor, u rrit punësimi, u rrit prodhimi dhe konsumimi i produkteve tona”, tha ai.

I pari i AAK-së tha se kanë nënshkruar kontratën për Kosovën e Re, njëkohësisht tha se kanë përmbyllur autostradën ‘Arbën Xhaferi’ dhe kanë filluar autostradat tjera për Luginë dhe për Dukagjin. Po ashtu, ai tha se janë në nisje të renovimit të hekurudhave të Kosovës, ndërsa potencoi se i kanë dhënë Trepçës statutin, ku ai tha se kjo pasuri tani është gati për investime.

Haradinaj shtoi se kanë krijuar zona ekonomike në gjithë vendin, iu kanë dhënë prona komunave dhe i kanë dhënë fuqi vendimmarrëse kryetarëve të komunave. Sipas tij, tani komunat janë partner në zhvillim ekonomik.

Ai tha se ka rritje ekonomike prej 4.7 përqind dhe është një buxhet i rritur për 15.7 përqind, ndërsa tha se tentojnë edhe më tutje në thellimin e reformave fiskale duke liruar nga tatimi lëndën e parë.

Haradinaj përmendi edhe rritjen e pagave për ushtarët e Kosovës, derisa tha se janë këtu për të kryer punët e shtetit.

Haradinaj: Presim një kornizë marrëveshje përfundimtare që rezulton me njohje reciproke në kufijtë ekzistues

“Në Bruksel dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë devijoi në dialog për kufij e territore, tani presim një kornizë marrëveshje përfundimtare që rezulton me njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Edhe si parti ne po rritemi bashkë me shtetin tonë...Vetëm Aleanca për dallim prej cilësdo parti politike në Kosovë, vetëm Aleanca mundet me ec në krijimin e një vlere të re, pra me krijua ata që i mungon Kosovës, e kjo është më shumë rend, ligj e siguri dhe më shumë sovranitet dhe më shumë zhvillim ekonomik. Nëse iu pyet dikush pse Aleanca para partive tjera, sepse Aleanca guxon me krijua. Shembulli i fundit, krejt institucionet e Kosovës janë të ngulfatura, jemi të vendosura nëpër objekte që nuk kanë qenë të parapara për këto funksione që i kryejnë. Që 20 vite është diskutuar me dal një herë prej qendrës së qytetit, kur të na vije një vizitor krejt qyteti bllokohet, 4 orë nuk mund t’i dërgosh fëmijët në çerdhe, marrin me qira objekte dhe jemi në situatë të rëndë. Kjo Qeveri, pra Aleanca po guxon me e nis Prishtinën e re, a dini pse guxojmë, sepse nuk është projekt me vjedh ndonjë pushtetar apo dikush tjetër, por është një projekt me krijua vlerë të re”, tha Haradinaj.

Ai tha se Prishtina e re është pronë e përbashkët e Qeverisë nacionale dhe e komunës, ku bëri të ditur se kanë nënshkruar memorandum me Komunën dhe e nisin Prishtinën e re. Sipas tij, po ndërtojnë në Kosovë mbi 1 milionë metra katror. Në këto metra katror, ai tha se i ndërtojnë të gjitha institucionet e Kosovës.

Nënkryetari i partisë së AAK-së, Ardian Gjini, ka paraqitur objektivat e Kuvendit të Punës, derisa ka folur edhe për rritjen e partisë pjesë e të cilës është.

Gjini: Aleanca është bërë gati për të dal e para Video

“Në këtë udhëheqje të Kosovës, të kryeministrit Haradinaj, Kosova e ka marrë vesh, gjithë qytetarët e Kosovës po jo vetëm të Kosovës, po besa edhe i gjithë Ballkani se kurrgjë nuk ka qenë rastësi me Ramush Haradinaj dhe kurrgjë nuk ka qenë rastësi me Aleancën. Pas zgjedhjeve lokale Aleanca udhëheq me 7 komuna me sukses rekord, fatkeqësisht për pak vota na ka ikur e 8 për të dal partia më e madhe me numër të komunave në Kosovë. Por, Aleanca është bërë gati për të dal e para jo vetëm në zgjedhje nacionale, po edhe në zgjedhje lokale. Gjatë kësaj periudhe kuptohet që një parti e cila rritet kësisoj, një parti e cila ka pasur rrënjë jashtëzakonisht të forta, por që gjatë gjithë kohës dikush ka ndërhyrë me e krasit jo ndershëm, prapë se prapë ka arritur të ndërtojë një frymë e cila po e bënë Aleancën partinë e parë në Kosovë”, tha ai.

Në këtë Kuvend të Punës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka ndryshuar disa pika të statutit të partisë, krijimin e Departamentit të Gruas, të Akademisë Politike, Kodin e Etikës dhe platformën e zhvillimit ekonomik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat