Nëna e Astrit Deharit: 3 javë para se ta vrisnin, djali ma ka thënë këtë mesazh

Aktuale

Nëna e Astrit Deharit: 3 javë para se ta vrisnin, djali ma ka thënë këtë mesazh

Më: 18 tetor 2019 Në ora: 16:52

(E plotësuar) - Prindërit dhe bashkëshortja e Astrit Deharit, i cili ka vdekur në vitin 2016 në burgun e Prizrenit, po i akuzojnë institucionet e Kosovës për mos transparencë, duke e cilësuar këtë si “vrasja e dytë e Astritit”.

Pas arritjes së raportit të ekspertizës nga Instituti Zviceran, ata po kërkojnë që si familje të kenë raportin origjinal, por që sipas tyre një gjë e tillë po u pamundësohet.

Të njëjtit sot ishin edhe në Prokurorinë Themelore në Prizren, për të kërkuar raportin rreth vdekjes së djalit të tyre, por që atyre u është thënë se tani më është dërguar në Prishtinë, për përkthim.

Babai i Astritit, Avni Dehari në një konferencë për media, thotë se pikërisht për shkak të mosbesimit kishin kërkuar që të kishte ekspertë të huaj për këtë rast.

Dehari: Nuk ka normë juridike që e arsyeton këtë 

“Kur i kërkova që të na e jap një raport origjinal, thanë nuk e kemi. Njerëzit që kanë faj, njerëzit që i kanë duart e përlyera, njerëzit që e kanë vrarë Astritin, apo këdo tjetër mundohen t’ia hedhin fajin  njëri-tjetrit, e kanë ushtruar mirë lojën e ping-pongut, këta të Prishtinës më thonë shko në Prizren, i Prizrenit më thotë shko në Prishtinë... Si t’i besoj një kryeprokurori të Prizrenit, që thotë e kam dërguar në Prishtinë dhe e kemi dorëzuar për përkthim, e ai nuk e paska një kopje të origjinalit në zyrë. Nuk ka normë juridike që e arsyeton. Ne jemi detyruar për shkak të mosbesim që kemi pasur në institucionet e drejtësisë në Kosovë, të kërkojmë ekspert të jashtëm, e mira do të ishte që ekspertiza të bëhet këtu, e jo të kërkojmë diku tjetër, por nuk kemi pasur besim, sepse kanë shkelur të gjitha procedurat të cilat është da shur t’i respektojnë”, ka treguar ai.

Në lidhje me këtë, Dehari tha se mohimi i posedimit të raportit në gjuhën që është shkruar raporti, do të thotë mungesë transparence në këtë proces.

Dehari: Kjo është vrasje e dytë për neve si familje

“Për neve si familja, ky akt është vrasje e dytë e Astritit, vrasja e parë ka ndodhur më 5 nëntor 2016, vrasja e dytë po ndodhë tash”, ka shtuar Dehari. 

Bashkëshortja e Astritit, Arta Dehari, tha se mos dhënia e raportit nga ana e prokurorisë është e papranueshme për ta.

Dehari: Është e pa pranueshme çdo gjë që po ndodhë

“Arsyeja e tij ishte që raporti që ka ardhur duhet të përkthehet, dhe duhet me u përkthy, duhet dy-tri ditë derisa të përkthehet, kur unë i thashë që a e kanë ndonjë kopje të raportit të origjinalit në zyre, ai tha nuk e kemi, që mua mu duk absurde.  Është e pa pranueshme çdo gjë që po ndodhë këto ditë, është shumë e pa pranueshme”, ka thënë bashkëshortja e Astrit Deharit.

Nëna e Astritit, Xhemile Dehari tha se manipulime të tilla ua kanë humbur besimin ndaj institucioneve të vendit. Si nënë tha se kërkon origjinalin e raportit që ka arritur nga Instituti Zvicran. Megjithatë, Xhemile Dehari tha se si familja do të pranojnë raportin ashtu siç është.

Dehari: Ne e dijmë se çfarë ka ndodhur me Astritin 

“Ne e dijmë se çfarë ka ndodhur me Astritin. Kemi thënë që e pranojmë çfarë do raporti që vjen prej Lozanës. Na thanë që edhe neve do të na i përkthejnë e do të na i japin, pse nuk po jepet origjinali, ajo është pyetja. Pse nuk u qel zarfi bashkë me neve, me pa se çfarë ka në atë zarf, pse me u shëtit Prishtinë-Prizren”, thotë nëna e Astriti Deharit.

Xhemile Dehari në këtë konferencë për media, tha se djali i saj ishte maltretuar në burgun e Prizrenit, e për këtë shprehet e bindur se edhe është vrarë.

Dehari: Astriti më kishte thënë

 “Tri javë para se të na i mbysin Astritin në burg, e enjte ka qenë, ishim në vizitë, dhe më tha se nëse vjen ndonjë telefonatë, të thojnë që Astriti është i sëmurë, dije që natën më qesin prej burgut. Të premten më ka telefonuar gruaja e Naser Makollit, që e mbytën edhe atë në burg, dhe i tha vajzës se Astriti është i sëmurë, dhe vajza filloi ‘oj nanë do të na i mbysin Astritin”, deklaron ajo.

Image

E avokati Tomë Gashi, krejt këtë sjellje të institucioneve të drejtësisë, po e quan si lojë të ndytë. Ai edhe një herë ka përsëritur se rasti "Dehari" ka pasur konotacion politikë, dhe se për këtë çështje sipas tij edhe është vrarë.

Ndryshe, dje kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala, ka mbajtur një konferencë për media përmes së cilës ka njoftuar se Ambasada e Zvicrës ua ka dorëzuar këtë raport.

Shala e ka prezantuar para gazetarëve një zarf, i cili ishte i mbyllur. Ka thënë se përmbajtjen e tij nuk e di, pasi që ai zarf do t’i dorëzohet prokurorit të rastit, i cili do ta trajtojë. I njëjti raport sipas avokatit Tomë Gashi kishte arritur në Kosovë para datës 8, për çka kishte akuzuar Ministrinë e Drejtësisë për jotransparencë të këtij procesi.

***

Babai i Astrit Deharit, Avni Dehari thotë se pas arritjes së raportit të ekspertizës nga Lozana e Zvicrës, për rastin "Dehari", janë detyruar që sot të shkojnë tek prokuroria në Prizren, që si familjarë të tij, të kenë një kopje të këtij raporti, por që një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

"Ne sot kemi qenë në Prizren, kryeprokurori i Prizrenit nuk më ka kthyer përgjigje. Me të marrë lajmin që raporti ka arritur, jam këshilluar që t’i drejtohem këshilltares së kryeprokurorit Merita Gashi. Ajo në mënyrë arrogante më tha ‘nuk e kam numrin’. U detyrova t’i them se mos të thotë që nuk ka numrin... Pas një kohe brenda ditës Merita Gashi më shkruan dhe më thotë se për raportin t’i shkruaj kryeprokurorit në Prizren. Kurrfarë përgjigje nuk ktheu. Sot ishim atje pa termin. Na pranuan brenda dhe na mbajti ligjëratë, që avokati dhe mediat po e politizojnë rastin. Kur i kërkova qe të na jap raportin origjinal, më thanë ‘nuk e kemi’. Njerëzit që i kanë dyert e përlyera dhe e kanë vrarë Astritin mundohen t’ia hedhin fajin dikujt tjetër. Si t'i besoj një kryeprokurori që thotë që nuk e ka një kopje në zyre. Nuk ka normë juridike që e arsyeton. Ne jemi detyruar që të kërkojmë ekspertë të jashtëm, e mira do të ishte të bëhet këtu, por nuk kemi pasur besim", ka thënë Dehari.

Në një konferencë për media, ai tha se institucionet e rendit ua kanë mohuar ta hapin raportin origjinal, për çka sipas tij ata nuk po duan të jetë transparent procesi dhe ta fshehin.

Image

"Për neve është vrasje e dytë. Vrasja e parë ka ndodhur në nëntor 2016, vrasja e dytë po ndodhë tash", shtoi ai.

Nëna e Astritit Deharit, Xhemile Dehari tha se me manipulime të tilla, ua kanë humbur besimin ndaj institucioneve të vendit.

"Qysh muj me i besuar Armir Shalës, kryeprokurorit që ai thojke dje ‘këtë raport kena përkthyer me dërguar te familja’. Ne e duam origjinalin. Qysh me ju besuar unë këtyre. Ata tash thonë e kena dërguar në Prishtinë. Qesharake është që për një javë është vonuar raporti me aeroplan. Tash a po duan me qëllim me na shkatërruar", tha ajo.

Bashkëshortja e Astritit, Arta Dehari tha se është e papranueshme se çfarë po ndodhë gjatë këtyre ditëve.

Kurse, avokati Tomë Gashi edhe një herë ka përsëritur se rasti "Dehari" ka pasur konotacion politik, dhe se për këtë çështje sipas tij edhe është vrarë. Ai thotë se nuk është njoftuar për përmbajtjen e raportit të ekspertizës, së Astrit Deharit.

***

Familja e të ndjerit Astrit Dehari së bashku me avokatin e tyre, kanë mbajtur sot një konferencë për media, pasi ka arritur raporti nga Instituti zviceran rreth rastit të vdekjes së djalit të tyre. Megjithatë kanë treguar se ende nuk kanë arritur që ta kenë një kopje të atij raporti, pasi që institucionet e drejtësisë, prokuroria, e ka dërguar nga Prizreni në Prishtinë për përkthim.

Megjithatë Xhemile Dehari, nëna e Astrit Deharit, gjatë kësaj konference ka ndarë edhe disa detaje kur është arrestuar djali i saj, dhe një bisedë që ajo pretendon ta ketë pasur me një hetues që i kishte shkuar për t’ia kontrolluar makinën e Astritit në shtëpi pas arrestimit. Sipas saj, ai hetues i kishte thënë se “ E dimë që Vetëvendosje s’ka të bëjë me këtë, por që jemi të detyruar”.

“Me arrestimin e djalit unë e di çka ka ndodhë. Hetuesi në garazh kerrin tu e kontrollu më ka thënë se e dimë që Lëvizja Vetëvendosje s’ka të bëjë me këtë, po na kanë detyru. Kur të doje le të dal ia them në sy”, ka thënë ajo.

Ndër të tjera, ajo ka thënë 3 javë para se të ndodhte incidenti në qendrën e paraburgimit në Prizren, në një takim që e kishte pasur me Astritin, thotë që djali i saj tashmë i ndjerë t’i ketë thënë se në rast se e telefonon dikush natën dhe i thotë se “Astriti është i sëmurë”, ta dijë që Astritin janë duke e nxjerrë jashtë nga burgu natën.

Ndërkohë thotë se menjëherë pas vizitës së të enjtes, të premten në mbrëmje e ka telefonuar gruaja e Naser Makollit, dhe i ka thënë që Astriti është i sëmurë.

“Tri javë para se me e mbyt astritin në burg. E enjte ka qenë se të enjten kemi shku për vizitë. Nanë nëse vjen naj telefonatë që thonë se astriti është i smut , dije që më marrin më qesin prej burgut. Të premten ka thirrë gruaja e Naser Makollit që e mbyten edhe atë nburg, më ka thënë Astriti është i smutë. Në atë moment e ka marrë vajza telefonin, e u hup vajza, kur i tha se Astriti është i smutë.. kcejke nëpër dhomë.. Oj nanë kanë me na e mbyt Astrititin. E kam në vesh atë fjalë. Tri javë përpara, tha nëse iu thirrë gruaja e Naserit”, ka thënë Xhemile Dehari.

Tutje ajo ka thënë se kanë kërcënuar Astrit Deharin që do ta dërgojnë edhe në Kumanovë, duke qenë se familja e tij e kishte prejardhjen nga Maqedonia.

“I kanë thënë se kanë me e qu në Kumanovë”, ka thënë ndër të tjera Xhemile Dehari.

***

Xhemile Dehari, nëna e Astrit Deharit, ka thënë sot se nuk mund t’i besoj Admir Shalës, Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

Ajo, në një konferencë për media, ka deklaruar se Kryeprokurori Shala refuzoi t’ia jepte familjes raportin origjinal të përpiluar nga Instituti Zviceran – Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore.

“Si mundem t’i besoj këtij Admir Shalës, Kryeprokurorit, kur dje thoshte se ky zarf do të përkthehet e do t’ia dërgojmë familjes. Por, unë s’po e du të përkthyer, unë po e dua origjinalin që e ka përpiluar Instituti Zviceran. Tash çohet ai thotë shkoni në Prishtinë sepse e kemi dërguar atje për përkthim”, ka thënë Xhemile Dehari.

***

Avokati i Familjes Dehari, Tomë Gashi në konferencën për media është shprehur se Astrit Dehari është vrarë.

“Kështu kanë thënë edhe grupi i ekspertëve të pavarur dhe të njëjtin mendim e kanë edhe ekspertët në Hagë. Astrit Dehari ka pasur plagë të cilësuara si vetëmbrojtëse dhe mund të themi se ai është vrarë”, tha Gashi.

Në konferencën për media kanë folur edhe prindërit e Astrit Deharit dhe gruaja e tij ku kanë treguar se nuk kanë arritur të marrin raportin e Mjekësisë Ligjore Zvicërane.

Më tutje, Tomë Gashi është shprehur se arsyeja e vrasjes së Astrit Deharit sipas tij është absolutisht politike dhe ka pranuar se edhe deklaratat e tij janë politike për këtë arsye. 

***

Avni Dehari, babai i Astrit Deharit, ka thënë se Prokuroria e Shtetit është dashur t’ia japë familjes një kopje të raportit të ekspertizës së Institutit Zviceran të Qendrës Universitare të Mjekësisë Ligjore.

Image

Dehari e ka quajtur këtë veprim të Prokurorisë së Shtetit si “vrasje të dytë të Astritit”.

Ai ka folur edhe për, siç ka thënë ai, arrogancën e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

“Iu drejtova personit kontaktues në Zyrën e Kryeprokurorit të Kosovës dhe personi që u paraqit në telefon ishte administratori, i cili në mënyrë shumë arrogante më tha se nuk e kam numrin e kryeprokurorit. U detyrova t’i them që të mos më thonshte se nuk e kam numrin, por që nuk dëshironi të ma dhuroni – sepse ajo këtë detyrë ka”, ka thënë Dehari.

Image

Dehari tregoi se sot e takoi kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren, Ardmir Shalën, por ai refuzoi t’i jepte raportin e ekspertizës së vdekjes së djalit të tij, Astritit.

Prokuroria Themelore në Prizren refuzoi sot t’ia dhurojë familjes raportin e ekspertizës të Institutit Zviceran-Qendrës Universitare të Mjekësisë ligjore në Zvicër në origjinal, në gjuhën në të cilën është përpiluar.

Konferencë për rastin e Astrit Deharit (Drejtpërdrejt)

Prindërit e Astrit Deharit, Avni dhe Xhemile Dehari së bashku me bashkëshorten e Astritit, Artën dhe avokatin e tyre, Tomë Gashi po mbajnë një konferencë për media.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat