Ky është numri i këshilltarëve të kryeministrit Albin Kurti

Aktuale

Ky është numri i këshilltarëve të kryeministrit Albin Kurti

Më: 5 mars 2020 Në ora: 20:35
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, filloi punën me 4 shkurt, një ditë pasi që qeveria e tij u votua në Kuvendin e Kosovës. Që atëherë, Kurti ka emëruar të gjithë zëvendësministrat në qeveri, por edhe ka filluar të punësojë këshilltarët në kabinetin e tij. Ja sa këshilltar ka emëruar kryeministri deri më tani.

Kryeministri emëroi së pari Aziz Bicin, si këshilltar politik dhe Drejtor të Zyrës për Çështje të Kategorive të dala nga lufta e UÇK’së.

Pas këtij Kurti emëroi si këshilltar një shtetas amerikan. Tienmu Ma u bë këshilltar për punë të jashtme.

Shenaj Shala ishte këshilltarja e tretë e emëruar. Ajo mori postin e Këshilltares të Jashtme Politike si dhe u bë përgjegjëse e Protokollit në Kabinetin e Kryeministrit.

Luan Dalipi u bë këshilltar me datën 21 shkurt, po ashtu ai u emërua shef i kabinetit të kryeministrit.

Durim Berisha dhe Erzen Vraniqi u emëruan këshilltar me datat 21 dhe 25 shkurt respektivisht.

Me 4 mars, kryeministri emëroi anëtarin e VV’së nga Tirana, Elvis Hoxha, si këshilltar së bashku me Fëllënza Podrimja.

Këshilltarja e radhës u bë Furtuna Sheremeti, ajo u emërua si këshilltare e jashtme politike për çështje juridike.

Ndërsa me datën 5 mars, Kurti emëroi Dritan Talin këshilltar politik për çështje të koordinimit të SHERPA dhe zbatimit të Planit Shumëvjeçar të Veprimit për Zonën Ekonomike Rajonale për të cilën u ra dakord në Samitin e Triestes, korrik 2017. Me këtë datë po ashtu ai emëroi Nora Kelmendin Këshilltare Politike për koordinimin e të drejtave pronësore.

Gjithsej deri më tani kryeministri ka emëruar 10 këshilltarë. Ndërkohë gjatë qeverisjes së kaluar, Kurti njihej si kritikë i madh i kryeministrit për shkak se kishte emëruar numër të madh të këshilltarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat