Ish-deputeti i LDK-së Adem Salihaj ‘shpërthen’ me deklaratën e fundit, paralajmëron futjen e PDK-së në qeveri - Bota Sot
Ish-deputeti i LDK-së Adem Salihaj ‘shpërthen’ me deklaratën e fundit, paralajmëron futjen e PDK-së në qeveri

Aktuale

Ish-deputeti i LDK-së Adem Salihaj ‘shpërthen’ me deklaratën e fundit, paralajmëron futjen e PDK-së në qeveri

Nga: N. H Më: 29 qershor 2020 Në ora: 18:42
Adem Salihaj

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Adem Salihaj, ka bërë një koment rreth zhvillimeve të fundit në vend.

Salihaj shkruan se po ndodhin momente dramatike dhe ngjarje të “paparashikueshme” në Kosovë.

Ish-deputeti tregon se ka apeluar tek kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, dhe te deputetët e LDK-së që mos ta prishin koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje.

Ai paralajmëron krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse, ku pjesë e saj do të jetë edhe PDK-ja e Kadri Veseli, e për të cilën thotë se po e krijon Hashim Thaçi.

“Tash erdhi momenti për të hyrë PDK në qeveri. Siç dihet, edhe qeverinë Hoti, tash edhe këtë qeverinë tjetër, po i krijon Hashim Thaçi. Tash i erdhi në ndihmë me vrap edhe Edi Rama, ndërsa urdhërdhënësi i tyre Aleksandër Vuçiqi po rri në prapaskenë”, ka shkruar ai.

Ja shkrimi i plotë i tij:

Image
Adem Salihaj

Të dashur qytetarë të Kosovës

Po ndodhin momente dramatike dhe ngjarje të "paparishikueshme" në Kosovë. Para pak kohësh, në mes të pandemisë, u prish koalicioni LDK-VV dhe u rrëzua qeveria. Unë atëherë pata apeluar te kryetari i LDK-së Isa Mustafa, dhe te deputetët e kuvendit që të mos e bënin këtë , sepse rrezikohej shtetësia dhe vetë ekzistenca e Kosovës, madje edhe si nocion gjeografik. Atëherë pata thënë se.."
Deputetët e LDK-së nuk duhet të paraqiten aqë naivë sikur nuk po e kuptojnë se vota sot për rrëzimin e kësaj qeverie, eshtë votë nesër për koalicion me PDK-në dhe Listën serbe. Dhe qeveria e këtij koalicioni LDK-PDK-Lista serbe do ta nënshkruajë marrëveshjen me Serbinë për ta copëtuar Kosovën."

Siç e dini, u bë një lojë mashtruese, e cila u përdor për t'i manipuluar jo vetëm deputetët e LDK-së, por edhe të partive tjera. Gjoja se u përjashtua PDK nga pjesëmarrja në qeveri. Kjo u bë veçanërisht për t'i manipuluar deputetët e LDK-së, të cilët, në atë fazë nuk do ta votonin rrëzimin e qeverisë Kurti dhe formimin e qeverisë me PDK-në dhe Listën Serbe.

Por, ja që po del e saktë ajo që thashë atëherë. Tash erdhi momenti për të hyrë PDK në qeveri. Siç dihet, edhe qeverinë Hoti, tash edhe këtë qeverinë tjetër, po i krijon Hashim Thaçi. Tash i erdhi në ndihmë me vrap edhe Edi Rama, ndërsa urdhëndhënësi i tyre Aleksandër Vuçiqi po rri në prapaskenë. Pra, treshja antishqiptare po bën përpjekje maksimale që ta realizojë planin për ndarjen e Kosovës dhe zhbërjen e saj si shtet. A do të arrihet kjo? Ka shumë gjasa se ky plan mund të realizohet, duke marrë parasysh papjekurinë politike të shumicës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Koha tregoi se ata janë të manipulueshëm. Spekulimi se nga ky koalicion po përjashtohen VV dhe Lista Serbe është gënjeshtër. Në fakt, Lista Serbe do ta ketë ndikimin në qeveri, pavarësisht faktit se a do të jetë apo jo formalisht aty.

A do të jetë Hoti kryeminister i qeverisë së re me PDK-në dhe partitë tjera? Sipas mendimit tim, ai nuk do të jetë, për arsyen e thjeshtë se ai nuk mund t'u dalë përballë sfidave të mëdha e të rrezikshme, që e presin këtë qeveri. Logjikisht, kryeministër mund të jetë Isa Mustafa, i cili, bashkë me Thaçin, ose njeriun e Thaçit, do ta nënshkruante marrëveshjen me Serbinë. Ndoshta të gjitha këto lojëra të rrezikshme për Kosovën po bëhen edhe për pezullimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, që të shpëtohet lëkura e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit?

A po vëhet sërish LDK në shërbim të planeve djallëzore antishqiptare të Hashim Thaçit? Unë nuk do të dëshiroja që të ndodhë kjo.

Por, presim e shohim. Koha është para nesh.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat