Brenda kabinetit të Avdullah Hotit po zhvillohen përplasje të njëpasnjëshme.
Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka përsëritur se çarjet brenda koalicionit qeverisës nisën kur Hoti nuk e mori atë, si përfaqësues të AAK’së, në takimin me presidentin serb, Aleksander Vuciqin në Bruksel. Më pas, sipas Selimit, Hoti krye në vete e caktoi Skender Hysenin koordinator për dialogun me Serbinë.
Por, sot gjatë ditës shefja e stafit të kryeministrit, Avdullah Hoti, Ardita Dushi e cila edhe ishte në bisedimet në Bruksel ka bërë publike një fotografi tek shihet shefi i qeverisë bashkë me Selim Selimin, të dërguarin e AAK-së, për procesin e dialogut.
“3 orë përgatitje dhe dakordime mbi parimet. Bruksel 16.07.2020”, ka shkruan Dushi në Facebook.
Dushi ka lënë të nënkuptohet se nuk është se shefi i qeverisë nuk është dakorduar për procesin e dialogut me partnerët e koalicionit, bile në foto shihet edhe zëvendëskryeministrja, Albulena Balaj-Halimaj.
Kujtojmë, që kryeministri, Avdullah Hoti po kritikohet nga partnerët e koalicionit se procesi i dialogut Kosovë-Serbi po rrëshqet në proces teknik dhe pa parime.