Çfarë po fsheh PDK’ja, AAK thotë se Haradinaj, Thaçi, Veseli u takuan për këtë arsye

Aktuale

Çfarë po fsheh PDK’ja, AAK thotë se Haradinaj, Thaçi, Veseli u takuan për këtë arsye

Më: 22 tetor 2020 Në ora: 15:43
Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi

Mëngjesin e së enjtes janë takuar presidenti i vendit, Hashim Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Për këtë takim, të cilin e ka konfirmuar fillimisht zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyqi, ka folur edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i AAK-së në Pejë, Ali Berisha.

Berisha për “Radio 1”, ka thënë se ata kanë diskutuar për zhvillimet politike e institucionale dhe nevojën e takimeve dhe konsultave me akter e partnerë.

“Ajo që tani për tani mund të them, është se takimi ka ndodhur. Zhvillimet politike dhe institucionale, nevoja për dinamika të reja, të mençura, normalisht që derivojnë edhe nevojën e takimeve dhe konsulta me akter dhe partnerë.  Kryetari Haradinaj si çdo herë mbetet transparent dhe i përkushtuar ndaj zhvillimeve. Edhe takimi i sotëm i  mëngjesit normalisht që është në një frymë të tillë. Korrekt, i arsyeshëm dhe logjik deri në fund”, deklaroi Berisha.

Kurse, për takimin që zgjati më shumë se një orë dhe zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi, tha se takimi i mbajtur në mëngjes nuk kishte ndonjë lidhje me zhvillimet politike apo ndonjë temë tjetër në Kosovë.

“Kryetari i PDK-së, z. Veseli ka pasur një mëngjes me presidentin dhe z. Haradinaj, por nuk lidhet me asnjë zhvillim politik apo temë tjetër në Kosovë”, tha Bytyqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat