Kosova me ligj t’i dënojë të gjithë ata që i përkrahin projektet serbo-ruse! / Rreziku për sulm në veri?!

Aktuale

Kosova me ligj t’i dënojë të gjithë ata që i përkrahin projektet serbo-ruse! / Rreziku për sulm në veri?!

Idriz Morina Nga Idriz Morina Më 4 mars 2022 Në ora: 19:12
Tre mbështetësit kryesor të ndarjes së Kosovës, Rama, Haxhiu dhe Thaçi me Vuçiqin, që e priste nga ta shpërblim!

Kosova po kalon në një fazë të re të rrezikut dhe të një kërcënimi potencial nga Serbia, si pasojë e luftës pushtuese të Rusisë në Ukrainë.

Vetëm pak javë më parë, pa asnjë arsye të mirëfilltë figura të PDK-së dhe jashtë saj, e hapen debatin për mundësinë e shkëmbimit të territorit Kosovë-Serbi, madje pa deklaruar fare, se çfarë do të fitonin shqiptarët nga kjo. Të gjitha informacionet dhe analizat çonin në një rezultat të vetëm, se Kosova humb territor në rast shkëmbimi.

Madje vet njëri nga promotorët e kësaj ideje Baton Haxhiu kishte pranua se Kosova më së paku do të humbte humb 4.4 % të territorit.

Ky projekt dhe ide serbe, e nisur publikisht para më shumë se një dekade nga Ivica Daçiqi, dhe e formalizuar me shumë gjasë së paku në një marrëveshje gojore, Vuçiq-Rama-Thaçi para rreth pesë vitesh, dështoi të realizohej, pasi u bë publike aktakuza e gjykatës speciale ndaj Hashim Thaçit.

Frika nga një sulm potencial i Serbisë

Ndërkohë, tashmë edhe zyrtarë të lartë të shtetit po alarmojnë se Kosova mund të jetë cak i një sulmi të mundshëm nga Serbia.

Nëse tashmë kjo është e vërtetë, atëherë a nuk duhet ndaluar propagandën në favor të Serbisë, derisa Çekia si vend i Bashkimit Europian, pavarësisht detyrimeve për respektimin e lirisë së shprehjes, ka vendosur të dënojë deri në tre vjet burg të gjithë ata, që e mbështesin pushtimin e Ukrainës nga Rusia dhe madje, që e lavdërojnë autoritetet ruse.

A është Kosova vërtetë e rrezikuar nga një sulm i mundshëm i Serbisë, veçanërisht në veri të vendit, ku për shumë kohë serbët kanë shkaktuar turbullira, dhunë, vrasje, dëbime të shqiptarëve dhe kanë kryer krime ordinere në vazhdimësi.

Një përgjigje, në paralajmërimet tona të hershme, që me fillimin e krizës së Ukrainës, shumë kohë para pushtimit të saj, se Serbia si aleate dhe me autoritete në varësi të Rusisë dhe veçmas presidentit të saj diktatorit Putin, mund të ndërmarrë ndonjë inkursion në veri, tashmë janë kthyer në paralajmërime të institucioneve të Republikës.

Vendimi i Qeverisë dhe Rezoluta e Kuvendit

Së pari këto dyshime janë kthyer në vendime dhe dokumente të institucioneve, pra mund të themi se është një rrezik i normuar.

Akti i parë që e demonstron këtë është vendimi i qeverisë Kurti, për krijimin e Fondit të Sigurisë. Ky fond u krijua me motivin kryesor, nevojën për t’u mbrojtur nga një sulm eventual pas krizës së Ukrainës, që mund të vjen nga Serbia.

Akti i dytë është Rezoluta e Kuvendit të Republikës e miratuar të enjten, në mbrojtje, përkatësisht solidarizim me Ukrainën dhe me mbështetje të sanksioneve kundër Rusisë.

Në paratekstin e Rezolutës për ndihmë Ukrainës, përkatësisht në tekstin arsyetues, paraqitet rreziku apo kërcënimi për Kosovën, nga bashkëveprimi Serbi-Rusi në Ballkanin Perëndimor. “Duke ritheksuar shqetësimin e lartë për ndikimin dhe ndërhyrjen e Federatës Ruse në vendet e Ballkanit Perëndimor nëpërmjet Serbisë, Republikës Serbe në Bosnjë e Hercegovinës dhe manifestimet e saj obstruksioniste...” thuhet në paratekstin e Rezolutës.

Po ashtu kjo pasiguri shprehet edhe në përmbajtjen e Rezolutës në dy pikat, që kanë të bëjnë me Kosovën drejtpërdrejt, me të cilat Kosova kërkon anëtarësim në NATO dhe BE, si dhe në Këshillin e Evropës, nga ku është përjashtuar Rusia.

“7. Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës që, në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, t’i ndërmarrë menjëherë të gjitha veprimet e nevojshme për dorëzimin e kërkesës për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në NATO, në Bashkimin Evropian, në Këshillin e Evropës dhe në organizata të tjera ndërkombëtare”, thuhet në Rezolutë.

Po ashtu në pikën pasuese, Kuvendi fton që institucionet ndërkombëtare, si NATO-ja, BE-ja dhe të tjera t’i shqyrtojnë kërkesat e Kosovës.

“8. Kuvendi i Republikës së Kosovës u bën thirrje NATO-s, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe organizatave të tjera ndërkombëtare ta shqyrtojnë kërkesën dhe ta konsiderojnë rëndësinë për anëtarësim të Republikës së Kosovës”.

Kjo frikë dhe pasiguri e krijuar nga lufta Ukrainë-Rusi, konfirmohet edhe nga deklarimet e kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, të bëra sot, sipas të cilit një nga institucionet duhet ta mendojnë edhe skenarin më të keq, që nënkupton një sulm të mundshëm nga Serbia, e shtyrë nga raportet e saj me Rusinë.

“S’kam frikë të pajustifikuar që kjo marrëveshje mund të shkelet nga ana e Serbisë përmes një sulmi mbi Kosovën, por ne duhet të jemi të gatshëm që në raport me Serbinë ta mendojmë skenarin më të keq të mundshëm. Relacioni, në kuptimin shtetëror dhe institucional, i Serbisë ndaj Republikës së Kosovës është më i keq se i Federatës Ruse që e ka pas me Ukrainën, pra Federata Ruse e ka njohur Ukrainën dhe megjithatë e ka sulmuar. Neve Serbia as që na njeh. Marrëdhëniet me Serbinë i kemi shumë më të këqija duhet të kemi kujdes të shtuar në relacion me Serbinë”, ka thënë Konjufca të premten për media.

Ndërkohë, rrezikun për një konflikt, përkatësisht mundësinë e përhapjes së konfliktit nga Ukraina në Ballkanin Perëndimor, sot e ka përmendur edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Ne nuk jemi pjesë e këtij konflikti, megjithatë NATO-ja ka përgjegjësi për të siguruar që ai të mos përshkallëzohet dhe të mos përhapet përtej Ukrainës. Kjo do të ishte edhe më shkatërruese dhe më e rrezikshme”, ka thënë Sekretari të premten Stoltenberg.

“Aleatët e NATO-s kanë ofruar ndihmë për Gjeorgjinë dhe BeH-në dhe partnerët e tjerë për vite me radhë. Ne nuk kemi marrë një vendim përfundimtar, por ekziston një besim i gjerë se ne duhet të bëjmë më shumë për të mbështetur këto vende. Të forcojmë institucionet e tyre të mbrojtjes dhe sigurisë, reformat , trajnime dhe potencialisht zgjerim Për shkak të asaj që pamë në Ukrainë, këto vende mund të jenë në rrezik, të ekspozuara ndaj përpjekjeve shtesë për minimin e shtetësisë”, tha Stoltenberg pas takimi të jashtëzakonshëm të ministrave të jashtëm të NATO-s.

Çekia dënon këdo që e përkrah Rusinë me tre vjet burg

A nuk duhet që Kosova ta vë në veprim zbatimin e Kodit Penal, dhe ndonjë vendim shtesë, në mënyrë që t’ju bëhet e qartë, si politikanëve, mediave, gazetarëve, dhe madje qytetarëve se nuk mund ta mbajnë anën e Serbisë, në raport me Kosovën.

Po ashtu, a nuk duhet ndaluar edhe me këtë rast ata që e mbështesin Rusinë, pushtimin rus në Ukrainë, nëpërmjet të cilës mbështetje me vetëdije apo pa të e përkrahin edhe Serbinë!

Nëpërmjet kësaj lirie, shumë spiunë serb dhe rusë, kanë bërë propagandë të dëmshme ndaj Kosovës dhe shtetbërjes së saj. A nuk duhet të marrë fund një ditë kjo propagandë dhe mbështetje e hapur, antishtet, antiKosovë dhe antishqiptare?!

Republika e Çekisë ka vendosur që ta penalizojë mbështetjen publike të pushtimit rus të Ukrainës deri në tre vjet, ka deklaruar të shtunën e shkuar prokurori suprem i Shtetit i Çekisë, Igor Striz.

Vetëm një ditën më pas policia çeke kishte nisur hetimet ndaj dhjetëra rasteve, si raportimet në media, duke filluar nga faqja lokale e lajmeve TN Nova, sipas Balkaninsight.

“Kjo do të thotë se "nën kushte të caktuara", kushdo që mbështet publikisht ose lavdëron liderët e Federatës Ruse në lidhje me sulmin ndaj Ukrainës mund të përballet me akuza penale, duke përfshirë edhe daljen në demonstrata apo edhe në internet”, ka thënë Striz, transmeton Balkaninsight.

Strizi ka cituar për media edhe nenet 365 dhe 405 të Kodit Penal Çek, sipas të cilëve kushdo që miraton publikisht një krim ose lavdëron publikisht autorin mund të burgoset deri në një vit dhe se kushdo që "e mohon publikisht, vë në dyshim, miraton ose kërkon të justifikojë nazizmin, komunizmin apo gjenocidin”, mund të përballet me një dënim me burg deri në tre vjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat