Misteri i vrasjes së Agim Ramadanit!

Aktuale

Misteri i vrasjes së Agim Ramadanit!

Idriz Morina Nga Idriz Morina Më 10 prill 2022 Në ora: 13:29
Agim Ramadani

Nesër bëhen 23 vjet nga vrasja e Agim Ramadanit, njërit prej kryeheronjve tanë. Kryehero cilësohet sepse ishte njëri prej protagonistëve kryesor të luftës së Koshares, përkatësisht të organizimit dhe thyerjes së kufirit ‘të hekurt’ shqiptaro-shqiptarë, që ndante në mes popullin shqiptar, i vendosur dhunshëm nga ish-jugosllavitë dhe nga marrëveshjet ndërkombëtare.

Rreth 75 vjet ndarje u përmbysën për një mëngjes të vetëm! Ishte ora e historisë, që edhe sot, si dje ekzalton shqiptarët, jo vetëm heronjtë e mbijetuar të saj, por edhe familjarët e tyre dhe të familjarëve të rreth 115 dëshmorëve të rënë në luftën mbi 60 ditore, ku luftohej për çdo pëllëmbë toke-metër, për lisa, lugje e përroska, për rrasa, Rrasën e Koshares, nga ku me artileri do t’i jepej gjëma, forcave serbe.

Krenari e përhershme

Kjo luftë, është krenaria e përhershme e luftës së shqiptarëve nga Serbia. Pas thyerjes së kufirit, forcave të përgatitura nga Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës, iu bashkuan edhe vullnetarë nga të gjitha viset shqiptare, por edhe pa dallime ideologjike apo të përkrahjes së grupeve të caktuara politike. Ishte një besë tipike shqiptare, ani pse kishte edhe ndonjë të atillë, që e shihnin me zili, dhe përpiqeshin ta pengonin tinëzisht!

Aq me ndikim ishte kjo betejë, sa është e vetmja që edhe sot ka një masivitet në organizim, në vizita dhe që mbahet thuajse gjithmonë nën përkujdesjen e Presidencës së Kosovës.

Vetë emri i këtij organizimi dëshmon për identifikimin me emrin shqiptar, për të cilin u flijuan, dhe për asnjë emër tjetër. Manifestimi, që nga fillimi quhet “Ditët e shqipes”, pra simbolit të emrit dhe të gjuhës tonë! Ai fillon me çdo 9 prill, që përputhet edhe më ditën e Kushtetutës së Kosovës, që hyri në fuqi në vitin 2008.

Image
Agim Ramadani, gjatë luftës

Fitore pa asnjë viktimë

Madhështia e kësaj beteje, siç është evidentuar me kohë, është se ajo u bë pa asnjë viktimë, ndaj një prej forcave më të mëdha ushtarake në Europë.

Agimi nga unë është vlerësuar si një kryehero, dhe si asnjëherë tjetër, është koha, që njerëzve të tillë të shquar, t’u jepen atributet, meritat e caktuara. Bashkë me Sali Çekun, ishin dy kryeheronjtë e Betejës së Koshares, pa të cilën ka pak gjasa që ajo betejë dhe ajo luftë të bëhej atje, për t’u kthyer në triumf dhe krenari për shqiptarët dhe në makth e turp për serbët.

Image
Agim Ramadani ukur me kompjuter, miku i tij Sali Çeku e përcjellë se çfarë po bën Agimi, dhe Anton Quni

Beteja e vetme, që i dha jehonë menjëherë bota, dhe vetë Xhemi Shea, zëdhënës i NATO-s, i cili e jepte si një lajm shumë të keq për Millosheviçin, thyerjen e kufirit shtetëror me luftë tokësore nga rreth 2 mijë forca të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndërsa me bombardimet nga qielli, e bënte humbjen e luftës nga Serbia, gjithnjë e më pranë.

Para luftës pak njihej, por i bashkuar me kryeheroin tjetër Sali Çekun, i cili përveç me organizime politike të pashoqe, si dhe të organizimeve të bërthamave të para të luftës, Agimi u dallua në front, me krijimin e strategjive goditëse efikase si në vitin ’98, por përfundimisht ajo arriti kulmin më 1999, kur e realizoi planin e thyerjes së kufirit dhe thuaja gjithçka e bën krye më veti, ai dhe Salihu.

Sali Çeku njihej jo vetëm për mbështetjen e parezervë të institucioneve të Republikës së Kosovës, por edhe për angazhimin e pakompromis për një luftë fitimtare, të kalimit nga mbrojtja në sulm.

Agim Ramadani ka tri merita në tri ditët vendimtare të asaj lufte, si kryestrateg i thyerjes së kufirit, si bartës i asaj strategjie dhe avancimit në terren, dhe si një hero i vërtetë klasik i luftës, ku për gjeneralët apo kryekomandantët nuk ka heshtje dhe nuk mund të rrijë në prapavijën e betejave. Ai ishte një hero klasik sikurse ishte Akili, ...Aleksandri i Madh, Pirro, ...Skënderbeu..., sigurisht i frymëzuar nga historitë e tyre donte ta ringriste heroin shqiptarë duke i frymëzuar ushtarët e tij, dhe kur komandon ushtrinë, nuk mund të pranojë që ushtarët t’i vriteshin në sytë e tij, por merr armën dhe çan në mesin e armiqve.

Image
Agim Ramadani në mesin e ushtarëve të tij

Heroi beson, se askush më mirë se ai luftën nuk mund ta bëjë.

Pra, ai ishte një kryehero klasik dhe modern njëkohësisht, për faktin se vetë zhvillimi i armatimit sot, paraqet rreziqe shumë më të mëdha se sa që paraqiste dikur për kryeheronjtë apo udhëheqësit e betejave, pasi goditja pas shënjestrimit të tyre në shesh-betejë është fatale.

Por, a është zbardhur definitivisht vrasja e Agim Ramadanit!?

Nëse është dhe ashtu është pranuar gjerësisht si një nga kryeheronjtë e luftës në Kosovë, a nuk meriton që njëherë e përgjithmonë të zbardhet vrasja e tij, momenti i vdekjes.

Janë disa të dhëna nga kriminalistika që kurrë nuk ndryshojnë, lloji i predhës që e ka goditur, baroti, që e përshkoi trupin e Agimit, këndi i goditjes nga zjarri, dhe dëshmi të tjera për ekspertët, që mund ta mbyllin njëherë e përgjithmonë dyshimin dhe pohimet se si u vra Agimi, hero i luftës.

Këto të dhëna nuk janë zbardhur kurrë. Kanë folur, sipas perspektivës së dëshmisë, për vendin, pozicionin luftarak, dhe pamjen e kufomës, për aq sa e kanë mbajtur mend ata, që e kanë tërhequr në Koshare. Këta dhe të tjerë nga struktura besojnë se vrasja është bërë nga forcat serbe dhe se nuk ka dyshime.

Është pala tjetër, që edhe pse nuk ka paraqitur ndonjë provë serioze në publik, por edhe sipas pohimeve n’besë’ nga ushtarakë në Koshare, vrasja e Agimit është e dyshimtë. Këta mbështesin hipotezën, se ai u vra, në atë mënyrë, sikurse janë bërë shumë vrasje politike. Shpresa për këta dhe zbardhjen e të vërtetës është edhe sipas tyre, hetimi nga gjykata speciale.

Në këtë rast motivi mbetet i paqartë, pasi motivi ideologjik, dhe i përkatësisë së formacionit ushtarak nuk duket mjaft i motivueshëm.

Kryeheroi meriton të jetojë në paqe, edhe nga të tjerët, sepse për veten dhe shqiptarët atë e ka gjetur, që kur ia doli me një grusht atdhetarësh ta thyente kufirin.

Image
Ushtarët e UÇK-së në Koshare me armët e tyre

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat