​Murati sërish kundër tërheqjes së Trustit: Na duhet të paguajmë një “gropë” prej 110 mln eurosh

Aktuale

​Murati sërish kundër tërheqjes së Trustit: Na duhet të paguajmë një “gropë” prej 110 mln eurosh

Më: 30 prill 2022 Në ora: 17:22
Hekuran Murati

Ministri i Financave Hekuran Murati ka thënë që tërheqja e parë e 10% të Trustit në vitin 2020 ka lenë, siç e quajti ai “një gropë prej 110 milionë eurosh” për rimbursimin. Duke dhënë argumentet e tij sërish kundër një tërheqjeje të mundshme të Trustit, tha se në vend se të rriten pensionet apo mbështetja për familjet me asistencë sociale iu duhet të paguajnë rimbursimin e tërheqjes së herës së parë të Trustit.

Murati: Kemi trashëguar një gropë prej 110 milionë eurosh

“Po ndalem te efekti në ekonomi në financat publike e iniciativës tashmë që ka ndodhur në vitin 2020, tërheqjes së parë prej 10% dhe efekti i saj do të vërehet në financat publike sepse na e kanë lënë një gropë prej 110 milionë eurosh për ta paguar rimbursimin. Tash në vend se me politika fiskale, me para që i mbledhim për buxhet, të bëjmë politika të reja për të mbështetur qytetarë, apo të rrisim pensionet, apo të rrisim mbështetjen për familjet në asistencë sociale, duhet 110 milionë euro më i marr prej buxheti për t’i rimbursuar ata që i kanë tërheq mjetet në vitin 2020. Kjo politikë e papërgjegjshme ka qenë atëherë kur ka ndodh”, tha ai.

Murati sërish është shprehur kundër tërheqjes së Trustit, propozim që është aktualisht në duart e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke thënë që kjo vetëm do t’i dëmtonte familjet që janë me nevoje e që nuk kane Trust.

Murati: Kjo vetëm sa do t'i dëmtonte familjet që janë me nevojë e që nuk kanë Trust

“Ndikimi do të ishte kryesisht negativ në ekonomi për shkak se jemi në një ambient inflacionar. Në ambient kur ka presion inflacionar dhe tendencë të rritjes së çmimeve është e vetëkuptueshme në ekonomi që çdo shtim i sasisë së parasë në treg në mënyrë të pavërtetuar krijon presione të reja infalcionale d.m.th. kjo vetëm sa do t'i dëmtonte familjet që janë me nevojë e që nuk kanë Trust. Do të vazhdonin të rriteshin çmimet, e që kryesisht i dëmton ata që janë të papunë por edhe kryesisht punëtorët e sektorit privat që s'kanë kursime në Trust”, vijoi ai.

Ndërsa i përket ankesave që kanë bërë Komunat për projektet e tyre që kanë mbetur përgjysmë për shkak se kompanitë e kontraktuara kanë nënshkruar kontrata me çmime të tjera dhe tashmë ka rritje dhe refuzojnë vazhdimin e projekteve pa u rinegociuar çmimi, sidomos te materiali ndërtimor, ministri ka thënë që janë duke u munduar të gjejnë një zgjidhje, mirëpo kujtoi se kontratat kanë klauzola.

Murati: Kontratat kur merren kanë klauzolat e veta dhe duhet të qohen deri në fund

“Ne kemi pas disa takime edhe me disa prej kryetarëve të Komunave por edhe me ministritë e linjës, kryesisht me Ministrinë e Infrastrukturës, sepse këto ballafaqohen dhe jemi dakorduar të shohim nëse mund të gjejmë një zgjidhje, megjithatë duhet të kemi parasysh se kontratat kur merren kanë klauzolat e veta dhe duhet të çohen deri në fund. Çdo herë është rreziku i luhatjes së çmimeve, qoftë për lartë apo poshtë. Mirëpo rreziku njërës palë shndërrohet në përftimit te palës tjetër. Në rastin eventual të kishte rënie te çmimeve, asnjë operator ekonomik s’do të kishte ardhur te qeveria të thoshin ‘na ulni çmimin e kontratës sepse po mundem ta gjej më lirë’, pra vetëm e kishte realizuar një fitim më të lartë. Pra këtë rrezik e bartin te dy palët dhe është rrezik i dyanshëm, por megjithatë si qeveri jemi duke paraparë nëse mund të behët diçka në lidhje me ketë temë”, tha Murati. .

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat