A ka afat për përfundimin e dialogut? Bislimi flet për një shkresë që ua dha Lajçak

Aktuale

A ka afat për përfundimin e dialogut? Bislimi flet për një shkresë që ua dha Lajçak

Më: 6 dhjetor 2022 Në ora: 13:36
Besnik Bislimi

Kosova insiston se diskutimet me Serbinë tani kanë afat të caktuar. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi po raporton në Komisionin për Punë të Jashtme, dhe e pohoi këtë para deputetëve.

Në tekstin e marrëveshjes së fundit të arritur në Bruksel nuk shënohet ndonjë datë si afat për përmbylljen e bisedimeve, por Bislimi thotë se për këtë çështje, një shkresë shtesë natën e 23 nëntorit e morën nga emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

“Kërkesa ka qenë që diskutimet të kufizohen në kohë, në mënyrë që ato të mos zgjaten pastaj pa kufi dhe mendoj se me dakordimin e datës 23 nëntor e kemi arrtur këtë, për arsye se si pjesë e marrëveshjes është paraparë që bisedimet për propozimin franko-gjerman duhet të kufizohen deri në fund të marsit”, tha Bislimi.

“Në fakt, në tekst nuk figuron data mars, mirëpo figuron takimi i grupit special për normalizim dhe pastaj ne e kemi pranuar këtë formulim vetëm në këmbim të një shkrese shtesë të z. Lajçak, ku ai e cakton afatin për normalizim, marsin 2023. D.m.th. ne e kemi marrë këtë siguri, e pastaj e kemi pranuar atë formulim”, theksoi zëvendëskryeministri.

Emisari europian sot erdhi në Prishtinë dhe u takua me kryeministrin Albin Kurti. Pas takimit, Lajçak tha se s’është njeri i afateve, kur u pyet për marsin, si cakun e paracaktuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat