​Seanca e Kuvendit fillon me një minutë heshtje për Ukshin Hotin, Konjufca: Serbia përgjegjëse për zhdukjen e tij

Aktuale

​Seanca e Kuvendit fillon me një minutë heshtje për Ukshin Hotin, Konjufca: Serbia përgjegjëse për zhdukjen e tij

Më: 16 maj 2024 Në ora: 11:08
Kuvendi i Kosovës

Me një minutë heshtje ka filluar Seanca e Kuvendit të Kosovës për të kujtuar 25 vjetorin e zhdukjes me dhunë të intelektualit dhe patriotit të shquar, Ukshin Hoti.

Pas kësaj, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca i ka bërë thirrje drejtësisë ndërkombëtare, por edhe asaj vendore që të merret me rastin e Ukshin Hotit, por edhe shumë intelektualeve e patrioteve të zhdukur me dhunë nga Serbia.

Konjufca: Bëjmë edhe thirrje drejtësisë ndërkombëtare, por edhe drejtësisë vendore që të merret me rastin e Ukshin Hotit

“Sot është 25 vjetori i zhdukjes me dhunë të intelektualit tonë të madh dhe patriotit tonë të shquar, Ukshin Hoti. Përgjegjëse padyshim për zhdukjen e tij me dhunë është shteti i Serbisë me mekanizmat e tij. Sapo kinse u lirua nga Burgu i Dubraves po e priste një veturë aty, e organizuar nga shteti serb dhe çkado që do t’i ketë ndodhur intelektualit Hoti, përgjegjësinë pa dyshim se e mban shteti okupator serb...Me këtë rast i bëjmë edhe thirrje drejtësisë ndërkombëtare, por edhe drejtësisë vendore që të merret me rastin e Ukshin Hotit, me vrasjen e Fehmi Aganit, të Bardhyl Qaushit e të shumë intelektualeve e patrioteve gjatë luftës, dhe me të gjithë të zhdukurit me dhunë nga Serbia, dhe me gjitha krimet që Serbia i ka kryer në Kosovë”, tha Konjufca.

Ndërkaq, Në rend dite sipas njoftimit të Kuvendit janë votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare dhe i disa projektligjeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat