Letra e Gërvallës për Asociacionin, deklarohet Gjermania

Aktuale

Letra e Gërvallës për Asociacionin, deklarohet Gjermania

Më: 16 maj 2024 Në ora: 11:28
Albin Kurti dhe Donika Gërvalla

Kosova ende s’i ka bërë hapat e mëdhenjt drejt formimit të Asociacionit, pavarësisht letrës që sot i nisi kryediplomatja Donika Gërvalla, Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Ky është qëndrimi i Gjermanisë. Aleatja e Kosovës tha se një gjë e tillë, do të duhej bërë para mbledhjes së Komitetit të Ministrave.

Në një përgjigje nga Ambasada Gjermane në Kosovë, kanë thënë se QUINT-i në vazhdimësi i ka kërkuar Kosovës hapa të prekshëm drejt themelimit të Asociacionit.

“QUINT-i dhe të tjerët në vazhdimësi kanë theksuar se nga Kosova pritet që të ndërmarrë hapa të prekshëm për themelimin e Asociacionit, në mënyrë që të arrijë shumicën e nevojshme për dy të treta në Komitetin e Ministrave, që aplikimi për anëtarësim të jetë i suksesshëm.” – thuhet në përgjigje.

Sipas Gjermanisë, dorëzimi i draft-statutit para mbledhjes do të kishte nënkuptuar një “hap të prekshëm”. Ambasada na e rikujtoi deklaratën e Jorn Rohde se “Kosova tani duhet ta bëjë pjesën e rëndë”.

Kjo, siç tha Ambasada Gjermane, nuk ka ndodhur ende.

“Siç tha ambasadori Rohde në postimin e tij në Twitter pas votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës: “Kosova tani duhet të bëjë pjesën e rëndë”. Kjo nuk ka ndodhur ende.” – thuhet në përgjigje.

Mëngjesin e së enjtes, kryediplomatja Donika Gërvalla njoftoi se i ka nisur një letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku zotohet sërish së Qeveria e Kosovës do ta zbatojë obligimin për Asociacionin.

Veç kësaj, Qeveria e Kosovës ka premtuar dërgimin e draft-statutit në Kushtetuese deri në fund të muajit maj.

“Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një draft Statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe (në kuadër të obligimeve të parapara në nenet 7 dhe 10), të frymëzuar nga Fondacioni Friedrich Ebert, i cili do t’i dorëzohet Gjykatës Kushtetuese për shqyrtim deri në fund të majit 2024.” – thuhet mes tjerash në letrën e Gërvallës.

Ndërkohë, sot e nesër Komiteti i Ministrave të KiE-së pritet të mbajnë mbledhjen e radhës. Kosova nuk është vendosur në agjendën e takimit.

Javën që lamë pas, kryeministri Kurti njoftoi se Qeverisë i është vënë një kusht i ri për anëtarësim, e që është zbatimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Pengesat për anëtarësim i mendonim nga shtete që s’e njohin Kosovën, por assesi e asnjëherë s’e mendonim që pengesë do të bëheshin shtetet demokratike që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë përkrahëse të Kosovës për zhvillim e demokratizim e më herët ishin krah nesh për çlirim e pavarësim.” –kishte thënë Kurti, derisa njoftonte për kushtin në fjalë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat