Abdixhiku i ashpër me Albin Kurtin

Aktuale

Abdixhiku i ashpër me Albin Kurtin

Më: 16 maj 2024 Në ora: 19:30
Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku

I pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti dhe kryeministrin, Albin Kurti, për “turpërim ndërkombëtar”, “dështim spektakolar” e “dëm historik”, pasi sipas tij, shefi i ekzekutivit është duke manipuluar me ndjenjat nacionaliste në dëm të interesave shtetëror.

Kjo kritikë e tij pasoi pas përgjigjes që i erdhi Kurtit nga Gjermania, Franca dhe Italia, të cilët ia kanë refuzuar propozimin Qeverisë, për të shkruar një draft-statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, në mënyrën se si është propozuar nga vetë Qeveria.

Sipas tij, Kurti po i trajton partnerët ndërkombëtar si militantë e diplomacinë si kafehane.

“Pasi gabuan adresën e pranuesve të letrës – merreni me mend – pasi ndryshuan në finish gjithë strategjinë dialoguse, zhbënë të gjitha qëndrimet dhe me të humbën të gjitha argumentet e mosveprimit me kohë; pasi e konsideruan diplomacinë si një kafe militantësh ku shiten gjepurat e tyre populiste, Republika e Kosovës mbeti e humbur, e turpëruar dhe sërish e kushtëzuar rëndë.

Letra e tre aleatëve të pavarësisë dhe rrugëtimit tonë shtetar, nuk ekspozon thjesht një Kryeministër populist që manipulon me ndjenjat nacionale në dëm të interesave shtetare. Ajo e ekspozon Kosovën si një shtet që nuk di të jetë serioz në arenën ndërkombëtare.

Partnerët e Kosovës nuk janë militantë partiakë që kur Kryeministri i viziton u jep pasqyrën e shtetit të falimentuar si sukses qeveritar. Subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës nuk është platformë zgjedhore mbi të cilën merren votat”, ka shkruar Abdixhiku, në Facebook.

E sipas tij, LDK-ja, nuk ka bërë dhe nuk bën politike elektorale me marrëdhëniet ndërkombëtare.

“Populistët këtë peshë përfaqësimi nuk e kuptojnë dot. Prandaj dhe të turpërojnë, të dështojnë dhe të dëmtojnë.

LDK-ja nuk ka bërë dhe as nuk bën politikë elektorale me marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës. E kuptojmë peshën e vërtetë të shtetësisë. LDK-ja qëndron e palëkundur në këtë rrugëtim, prandaj me kohë ka propozuar autorësinë e Republikës ndaj detyrimeve ndërkombëtare, si parakusht i evitimit të dështimeve historike e dëmeve pas dështimeve – ku dhe jemi sot.

Në relacionet e tilla, ka një kohë kur duhet përballur me argumente politike dhe ka një kohë kur duhet qëndruar në ballë të angazhimeve ndërkombëtare. Këtu dallojnë prijësit prej populistëve, patriotët prej mashtruesve.

Po i trajton partnerët si militantë e diplomacinë si kafehane

Shteti i Kosovës dhe qytetarët tanë nuk ua kanë borxh të ardhmen një njeriu që luan me detyrimet e shtetësisë e që rrënon reputacionin e shtetit të Kosovës kaq keq. Duke i trajtuar partnerët si militantë, diplomacinë si kafehane e Kosovën si fushë mbjellje e korrjeje të votave momentale në dëm të prodhimeve të duhura ndërkombëtare, ne po shndërrohemi në një vend të zymtë dhe pa perspektivë”, ka shtuar më tej Abixhiku.

“Heqja dorë nga rrugëtimi euroatlantik është tragjedi. Dhe këtë heqje dore duhet ta parandalojmë si popull, si shtet si gjeneratë e ardhmja e së cilës po merret peng nga një njeri. Prandaj populistët duhet të përballen me dështimet e tyre kapitale, me humbjen e madhe kombëtare! Dorëheqja, më pas shpërndarja, në fund zgjedhjet dhe fitorja e politikës normale”, ka përfunduar Abdixhiku.

Gjatë mëngjesit të së enjtes u bë e ditur se Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ia ka adresuar një letër presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos, ku thuhet se Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një draftstatut për Asociacionin.

Gërvalla, në atë letër është zotuar se do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit, duke theksuar se Qeveria e Kosovës ka shprehur vullnetin dhe se shpreson se zotimi i saj të përmbushet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat