“Hajni e MAShT-it”, Kastrati hedh dyshime për keqpërdorim të buxhetit për tekstet shkollore

Aktuale

“Hajni e MAShT-it”, Kastrati hedh dyshime për keqpërdorim të buxhetit për tekstet shkollore

Më: 17 maj 2024 Në ora: 14:11
Pamje nga Komisioni

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ardian Kastrati ka hedhur dyshime se ka pasur keqpërdorime të buxhetit nga Ministria e Arsimit në vitin e kaluar për tekstet shkollore.

Në Komisionin Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të teksteve shkollore e mjeteve mësimore për vitin shkollor 2023/2024, Kastrati e ka quajtur hajni të MAShT-it keqpërdorimin e buxhetit për tekstet shkollore teksa i ka drejtuar disa pyetje.

Ai ka pyetur se si është organizuar procesi i subvencionimit të teksteve shkollore në të gjitha fazat dhe se a kanë përfituar të gjithë nxënësit nga mjetet mësimore.

Në mesin e shumë pyetjeve, Kastrati tha se duhet të sigurohen proceset verbale dhe të shihet se pse kanë dështuar negociatat me shtëpitë botuese.

“Po e quaj hajni në MASHT, po i drejtoj disa pyetje MASHT-it, pse ka dështuar negociatat në shtëpitë botuese, duhet të sigurohen proceset verbale, si është organizuar procesi i subvencionimit në të gjitha fazat, A kanë përfituar të gjithë nxënësit nga mjetet mësimore?Cilat kanë qenë ofertat e shtëpisë botuese”, ka pyetur Kastrati.

Ai ka thënë se këto pyetje duhet të ju dërgohen edhe Drejtorive Komunale të Arsimit.

Komisioni hetimor parlamentar për procesin e subvencionimit të teksteve shkollore e mjeteve mësimore për vitin shkollor 2023/2024, ka arritur të konstituohet më 26 prill.

Pse u formua ky komision?

Ky komision ka për qëllim të evidentojë se a ka pasur lëshime në subvencionimin e teksteve shkollore apo jo, gjatë viti shkollor 23/24.

Kështu, më 4 prill, pas më shumë se tri orë diskutimesh, Kuvendi i Kosovës themeloi Komisionin Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe të mjeteve mësimore për vitin shkollor 2023/2024.

Themelimi i këtij komisioni ishte propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Para se të votohej themelimi i këtij komisioni, deputetët opozitarë dhe ata të partisë në pushtet zhvilluan debat të ashpër lidhur me ketë çështje.

Subvencionimi

Procesi i pajisjes së nxënësve me tekste shkollore ka hasur në kritika të shumta në shtator të vitit 2023.

Për dallim nga vitet e kaluar, prindërit është dashur që vetë t’i blejnë librat shkollorë për fëmijët e tyre.

Qeveria e Kosovës ka subvencionuar prindërit për blerjen e librave shkollorë, në shumën prej 80 eurosh për fëmijët nga klasa 1-5, për libra dhe mjeteve shkollore, ndërsa nga 30 euro për fëmijët nga klasa 6-9 për blerje të materialeve shkollore.

Për të përfituar nga subvencionimi, prindërit është dashur të aplikojnë përmes platformës e- Kosova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat