“Mundësuan ditë feste për Serbinë”, Krasniqi fajëson liderët e shtetit për dështimin në KiE

Aktuale

“Mundësuan ditë feste për Serbinë”, Krasniqi fajëson liderët e shtetit për dështimin në KiE

Më: 17 maj 2024 Në ora: 16:34
Rrezarta Krasniqi, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës

Kryeministri, Albin Kurti, dhe kryediplomatja, Donika Gërvalla, janë bashkëfajtorë për dështimin e Kosovës në Këshill të Evropës, sipas deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Rrezarta Krasniqit, teksa shton se të dy ia kanë “mundësuar ditë feste” Serbisë.

Kështu, Krasniqi ka shtuar se Kurti e Gërvalla duhet të japin dorëheqje pas këtyre “dëmeve të mëdha e të pariparueshme” që ia kane shkaktuar të ardhmes euroatlantike të Kosovës.

“Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja Donika Gërvalla, janë fajtorë për mosanëtarësimin e Kosovës në KiE dhe mundësuan ditë feste për Serbinë. Këta përfaqësues politikë sot duhet të ndihen të turpëruar dhe të japin dorëheqje, janë të paaftë dhe po shkaktojnë dëme të mëdha e të pariparueshme për të ardhmen euroatlantike të Kosovës”, ka shkruar Krasniqi, në Facebook.

Kosova ka dështuar të jetë pjesë e agjendës së kësaj mbledhje në Strasburg, për shkak të refuzimit nga Qeveria e Kosovës të kërkesave të Gjermanisë, Francës e Italisë që të bëhen hapa konkret për Asociacionin.

Ndërsa, gjatë ditës kryesuesja e deritanishme e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Dominique Hasler, ka bërë të ditur se ky komitet po shqyrton se si të procedojë për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat