Të gjithë bashkë për pastrimin e Kosovës nga mbeturinat - Bota Sot
Të gjithë bashkë për pastrimin e Kosovës nga mbeturinat

Aktuale

Të gjithë bashkë për pastrimin e Kosovës nga mbeturinat

Më: 29 gusht 2018 Në ora: 15:20
Ramush Haradinaj ka pritur sot në takim Taskë Forcën dhe grupin teknik për mbrojtje të mjedisit

(E plotësuar) - Institucionet shtetërore, shoqëria civile dhe qytetarët do të bashkohen për të pastruar Kosovën nga mbeturinat.

Për tre muaj, ata do të angazhohen me aktivitete në kuadër të aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, organizim ky që zgjerohet edhe në rajon, meqë pjesë e bashkëpunimit do të jenë edhe qeveritë e shteteve fqinje.

Kjo u bë e ditur sot nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj pas takimit me Task-Forcën dhe grupin teknik të këtij organizimi.

Kryeministri Haradinaj u shpreh optimist se aksioni që do të mbahet do të arrijë ta pastrojë Kosovën.

Haradinaj: Do ta pastrojmë Kosovën për tre muaj

“Sot e zhvilluam edhe një takim të përbashkët, dhe i falënderoj të gjithë për pjesëmarrjen dhe kontributin e dhënë. Jam bukur optimist që ky aksion kësaj herë vërtetë do ta bëjë diferencën. Pra për këtë tre muaj do ta pastrojmë Kosovën dhe njëkohësisht pas tre muajsh nuk do të lejojmë që të mbushet me bërllok”, tha ai.

Luan Hasanaj nga organizata “Let’s Do It Kosovo”, tha se është hera e parë që ka një organizim të tillë, ndërkohë ftoi qytetarët të bashkëpunojnë.

Hasanaj: Të bëhemi bashkë për ta pastruar vendin prej ndotjes

“Është rasti i vetëm në rajon kur këta akterë bëhen bashkë për ta pastruar vendin prej ndotjes. Pra, jemi dëshmitarë që pothuajse i tërë rajoni është i ndotur, mirëpo asnjëra prej qeverive nuk e ka bërë këtë hap dhe vërtetë është për tu përshëndetur. Shpresojmë që edhe qytetarët do të bëhen bashkë dhe do ta japim kontributin të gjithë së bashku”, tha ai.

Albena Reshitaj, shefe e Task-Forcës për pastrimin e Kosovës, tha se të gjitha institucionet, bashkë me shoqërinë civile do të punojnë krijimin e mirëqenies së qytetarëve.

Reshitaj: Do të bashkëpunojmë për mirëqenie të qytetarëve

“Do të bashkëpunojnë dhe do të krijojnë një vend më të pastër, i cili do të krijojë mirëqenie dhe cilësi të jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës. Tashmë jemi përgatitur, janë plani i aktiviteteve, kemi detajuar të gjitha aktivitetet konkrete, i kemi ndarë punët e përgjegjësitë, në ministritë e linjës si dhe komunat, dhe tashmë po përgatitemi vetëm për hapjen e kësaj kampanje dhe konsideroj që vendi ynë meriton një pamje më të mirë dhe ne si institucione, edhe shoqëria civile, edhe e gjithë Kosova duhet të reflektojë në këtë drejtim”, tha ajo.

Nga 15 shtatori deri më 15 dhjetor, në Kosovë do të mbahen aktivitete në terren, të cilat pritet të rezultojnë me heqjen e mbeturinave kudo që ndodhen. Pjesë e kësaj fushatë do të jenë edhe qeveritë e vendeve të rajonit, diçka që po shihet si mesazh që mjedisi nuk njeh kufij dhe është i përbashkët.

Haradinaj fton qytetarët të marrin pjesë në aksionin për pastrimin e Kosovës

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka pritur sot në takim Taskë Forcën dhe grupin teknik për mbrojtje të mjedisit.

“Në Qeveri, dje, miratuam Planin e aktiviteteve dhe buxhetin për realizimin e pastrimit të tërësishëm të Kosovës nga mbeturinat e dy dekadave të fundit.  Sot zhvilluam një takim të përbashkët me task-forcën dhe grupin teknik, me të cilët po punojmë dhe po bëjmë përgatitjet që më 15 shtator aksioni “Ta Pastrojmë Kosovën”, me kohëzgjatje tremujore, të zhvillohet me sukses. Duke synuar që ky projekt masiv mjedisor ta ketë edhe dimensionin vetëdijësues për shoqërinë tonë, ftoj të gjithë qytetarët të jenë pjesë e këtij aksioni dhe të vazhdojmë të kujdesemi bashkë për hapësirën ku jetojmë!”, ka shkruar ai në Facebook.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...