Sveçla: Nuk kemi përfunduar punë, do të intervistohet edhe drejtori i Policisë - Bota Sot
Sveçla: Nuk kemi përfunduar punë, do të intervistohet edhe drejtori i Policisë

Aktuale

Sveçla: Nuk kemi përfunduar punë, do të intervistohet edhe drejtori i Policisë

Më: 29 tetor 2018 Në ora: 18:52
Xhelal Sveçla

Komisioni Hetimor Parlamentar ka përfunduar intervistimin e 8 zyrtarëve policorë, të cilët kanë qenë në krye të detyrës me rastin e ekstradimit të gjashtë shtetasve turq në mars të këtij viti. Ndërsa u paralajmërua për intervistime të tjera.

Intervistimi që filloi sot në orën 09:00, nuk përfundoi deri rreth orës 18:00, kur me një deklaratë për media doli kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me ndriçimin e rastit të gjashtë shtetasve turq, Xhelal Sveçla, i cili tha se nga indikacionet e para del se ka nevojë për intervistime të mëtutjeshme.

Sveçla: Do të intervistohet edhe drejtori i Policisë

"Nuk kemi përfunduar me intervistimin e zyrtarëve policorë. Mendoj që është e rëndësishme që t'i dëgjojmë të gjithë dhe pastaj të shohim a ka nevojë për të ftuar të tjerë. Indikacionet e para janë që ka nevojë për zyrtarë të tjerë. Te shohim. Do të intervistohen edhe zyrtarët që kanë qenë përgjegjës në aeroport, do të intervistohet po ashtu edhe drejtori i Policisë dhe radhazi, derisa ta përmbyllim këtë institucion", tha ai.

Të intervistuarit kryesisht nuk kanë pranuar të flasin para kamerave për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe deklaratave të tyre se "nuk kemi te drejtë me fol".

Ndërkaq, intervistimi i secilit prej tyre ishte paraparë të zgjaste rreth 60 minuta, ku disa prej tyre kanë përfunduar më herët se koha e paraparë.

E intervistat zgjatën përtej kohës së paraparë kur në karrigen e të intervistuarit u gjend drejtori i Departamentit për Kufij, Shaban Guda dhe drejtori i Departamentit për Migracion në Policinë e Kosovës, Rrahman Sylejmani.

Ky i fundit, pas intervistimit gati dy orësh, tha se ka raportuar për punët që ka kryer ditën e deportimit të gjashtë shtetasve turq.

Sylejmani: Kemi raportuar për punën që kemi bërë

"Kemi raportuar secili për punët e veta që i ka kryer aty, veprimet që janë ndërmarrë për deprtimin e gjashtë shtetasve turq në kohën kur ka ndodhur. Nuk mund më tepër me dhënë kurrfarë informacioni", ka thënë ai.

Ai ka treguar edhe arsyen e asaj se pse intervistimi i tij zgjati aq shumë.

Sylejmani: Kam qenë person kyç në hallkën e angazhimit

"Ka zgjuar kureshtje pak më të madhe, në detaje. Kam qenë person kyç në atë hallkën e angazhimit që kemi vepruar, dhe për atë ka zgjatur ndoshta më shumë", ka thënë ai.

Ndryshe, mëngjesin e sotëm njëri nga zyrtarët policorë ka deklaruar se ishte ftuar gabimisht që të intervistohet. Ndërsa kryetari i komisionit përkatës, Xhelal Sveçla ka demantuar këtë, duke thënë se nuk është intervistuar askush gabimisht, raporton KosovaPress.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...