Presidenti Biden i ofroi takim Putinit, ndërsa vazhdojnë tensionet për Ukrainën

Amerika

Presidenti Biden i ofroi takim Putinit, ndërsa vazhdojnë tensionet për Ukrainën

Më: 15 prill 2021 Në ora: 21:32
Joe Biden dhe Vladimir Putin

Presidenti Joe Biden ka ofruar të takohet me Presidentin rus Vladimir Putin në një samit në një vend të tretë, duke paralajmëruar njëkohësisht Moskën, se çdo agresion kundër Ukrainës do të ketë pasoja. Paralajmërimi vjen ndërkohë që Rusia po grumbullon trupa dhe armatime në Krime dhe në kufirin me Ukrainën.

Kanali Sky News i Britanisë filmoi trupat ruse duke u vendosur në zonën Voronjezh të Rusisë, afër kufirit me Ukrainën. Grumbullimi më i madh i trupave, që nga aneksimi i paligjshëm i Rusisë i Gadishullit ukrainas të Krimesë në vitin 2014, ka alarmuar udhëheqësit në Kiev dhe në Perëndim, përfshirë Presidentin amerikan Joe Biden.

"Presidenti shprehu shqetësimet tona në lidhje me kërcënimin e papritur të rritjes së pranisë së ushtrisë ruse dhe rritjen e agresionit në kufirin e Ukrainës dhe i bëri thirrje Rusisë për të ulur tensionet", tha Jen Psaki, Sekretare e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë.

Pas takimit me aleatët e NATO-s në Bruksel, Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t'i ofrojnë Ukrainës mbështetje materiale për të mbrojtur integritetin e saj territorial dhe i bëri thirrje Rusisë të ndërpresë provokimet e saj.

"Arkitektura e sigurisë kombëtare, ose ekipi, gjithmonë do t'i paraqesë presidentit tonë një sërë opsionesh që janë të përqëndruara në përdorimin e të gjithë elementëve të fuqisë kombëtare që kemi në dispozicion, kur shqyrtojmë opsionet që do t’i paraqesim presidentit", tha Lloyd Austin, Sekretar i Mbrojtjes.

Separatistët e mbështetur nga Rusia dhe forcat ukrainase kanë luftuar në Ukrainën lindore që nga viti 2014. Më shumë se 14000 njerëz kanë vdekur në konflikt.

Rusia thotë se dërgoi trupa në kufijtë e saj perëndimorë për "stërvitje trajnimi" në përgjigje të veprimeve "kërcënuese" të NATO-s.

Mes përshkallëzimit, Presidenti Biden ofroi të mbajë një samit "në muajt e ardhshëm" me Presidentin rus Vladimir Putin. Eksperti për Rusinë në Universitetit Katolik, Michael Kimmage, i tha Zërit të Amerikës se ai mendon se ky është një veprim i mençur.

“Pra, për të sinjalizuar angazhimin amerikan, vendosmërinë dhe që nuk do të ketë asnjë lëshim, ose që Shtetet e Bashkuara po i afrohen kësaj nga një pozicion dobësie, por në të njëjtën kohë, janë të gatshëm të flasin dhe të negociojnë në masën që këto dy vende munden", tha zoti Kimmage.

Disa ligjvënës amerikanë janë shprehur të alarmuar se Rusia mund të përgatitet të pushtojë Ukrainën.

“Mendoj se duhet të shohim edhe gjëra të tjera që mund të bëjmë, për t’ia bërë të qartë Putinit se jemi të shqetësuar për veprimet e tyre. Kjo është arsyeja pse unë kam mbështetur sanksionet ndaj gazsjellësit Nord Stream 2, i cili do të kishte një ndikim dramatik në Ukrainë. Unë mendoj se duhet të përpiqemi ta mbyllim atë në çdo mënyrë të mundshme", tha Senatorja demokrate Jeanne Shaheen.

Kritikët e Nord Stream 2 thonë se tubacioni pothuajse i përfunduar i gazit natyror nga Rusia në Gjermani është një projekt gjeopolitik i Rusisë që kërcënon sigurinë energjitike të Evropës dhe Ukrainës. Gjermania e shikon tubacionin si një sipërmarrje tregtare./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat