Warriors nuk ndalen, mposhtin edhe Pelicans

Basketboll

Warriors nuk ndalen, mposhtin edhe Pelicans

Më: 17 janar 2019 Në ora: 11:43
Ndeshja Warriors-Pelicans

Fitorja e gjashtë radhazi për kampionët në fuqi të NBA.

Golden State Warriors duket se kanë gjetur ritmin e duhur, duke mposhtur çdo kundërshtar që u dalin përpara.

Viktimë e radhës e Warriors ishte skuadra e New Orleans Pelicans, që pavarësisht se mbajtën një ritëm të lartë, u mposhtën në fund 147-140.

Stephen Curry ishte koshashënuesi më i mirë me 41 pikë, por vendimtar rezultoi edhe Kevin Durant me double-double prej 30 pikëve e 15 kërcimeve. Në krahun tjetër për Pelicans bëri maksimumin Anthony Davies me 30 pikë dhe 18 kërcime, por që nuk mjaftuan për të shmangur humbjen.

58 pikë dhe 10 kërcime të James Jarden nuk u mjaftuan Houston Rockets përballë Brooklyn Nets, me skuadrën njujorkeze që triumfoi 145-142 pas dy vazhdimeve. Më i miri në radhët e Nets rezultoi Spencer Dinwiddie, me 33 pikë e 10 asistime, ku përfshihet edhe trepikëshi i realizuar në shtesë, që përcaktoi edhe fituesin.

Fitore për Boston Celtics 117-108 përballë Toronto Raptors në. Skuadra e Brad Stevens e siguroi triumfin falë një çereku të dytë të jashtëzakonshëm, të cilin e fitoi 34-17.

Kyrie Irving e mbylli takimin me 27 pikë e 18 asistime, por kaq rëndësi kishin edhe 24 pikët e Al Horford. Për Raptors nuk mjaftuan 33 pikët e Kawhi Leonard dhe 22 të Serge Ibakas.

Humbja e Raptors u dha mundësi Milwaukee Bucks të merrnin kreun e Konferencës së Lindjes falë suksesit 111-101 ndaj Memphis Grizzlies.

Për fitoren e Bucks mendoi i zakonshmi Giannis Antetokounmpo, me 27 pikë dhe 11 kërcime.

Në takimet e tjera San Antonio Spurs fituan 105-101 me Dallas Mavericks, ndërsa Los Angeles Clippers pësuan humbjen e katërt radhazi, 109-129 ndaj Utah Jazz.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat