Duelet e gjelave vijojnë të dëfrejnë komunitetet tribale në fshatrat e Indisë

Bota

Duelet e gjelave vijojnë të dëfrejnë komunitetet tribale në fshatrat e Indisë

Më: 3 maj 2024 Në ora: 19:55
Ilustrim

Lëshimi i thembrës së mprehtë dhe i furisë së puplave gjatë përplasjes, përfundon me vdekjen e një prej sfiduesve, por duelet e gjelave mbeten event i vetëm që bashkon komunitete të veçuara në pyjet e Indisë, edhe pse konsiderohet ‘mizori’ nga shumë të tjerë.

India njihet kryesisht në Perëndim për tifozët e kriketit por krahina e saj qendrore Chhattisgarh, i mbledh turmat e saj me duelet mizore të gjelave.

“Më parë nuk ka pasur mënyra të tjera zbavitjeje dhe ishte një event ku njerëzit takoheshin dhe njihnin miq nga fshatra të tjera,” thotë Raju per rrjetin AFP, aftësitë e të cilit për të rritur gjela lufte, e kanë bërë të njohur.

“Edhe me ndryshimet që kanë ndodhur sot, sporti mbetet ende i preferuar”, shton 32 vjeçari nga Bastar, ku banojnë shumë komunitete tribale në fshatra të vegjël.

Ndërkohë India ka investuar miliona dollarë në ndërtime të reja infrastrukture, rrugë dhe kulla antenash celulare, sipas qeverisë “që këta banorë të mos ndjehen të shkëputur nga bota e jashtme”.

Por kur në kalendarin lokal ka një dyluftim gjelash, burrat ecin distanca të gjata, duke kaluar lumenj e bimësi të dendur për të ndjekur ndeshjen.

“Unë merrem me këtë punë, organizoj dyluftimet, rris gjelat dhe organizoj bastet”, thotë gjithashtu 35 vjeçari Bhagat, nga fshati Katekalyan.

Muajin e kaluar ishte radha e Katekalyan të priste duelin e radhës, kur burrat e fshatit rrethuan ringun e rërës ku ndesheshin gjelat. Shumë duele gjelash përfundojnë brenda disa sekondave, teksa të gjithë zhurmën e merr organizimi para përballjes.

Bhagat dhe gjeli i rivalit të tij fillimisht mbahen para njëri-tjetrit sqep më sqep, për të krijuar armiqësinë e nevojshme për betejë. Më pas atyre u lidhen në kthetra thika të mprehta për ti shkaktuar sa më shumë dëm njëri-tjetrit gjatë goditjeve.

Aktivistët e mbrojtjes së kafshëve e quajnë me të drejtë praktikën ‘barbare’ dhe kërkojnë ndalimin e saj, por njerëzit që jetojnë në pyjet e Bastar e konsiderojnë një pjesë integrale të stilit të tyre të jetesës.

Gjelat që i mbijetojnë disa betejave lavdërohen së bashku me të zotët e tyre. Bhagat thotë se është gjithnjë e dhimbshme kur shpendi i tij vdes në dyluftim. “Kur humbasim një gjel në luftim zemra është në dhimbje për disa ditë, por pastaj dehemi e gjejmë qetësi”, shton ai për AFP.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat