Ekspertët shpallin dietën mesdhetare si më të mirë në botë

Dieta

Ekspertët shpallin dietën mesdhetare si më të mirë në botë

Më: 31 mars 2022 Në ora: 07:16
Foto ilustrim

Për të tretin vit radhazi, dieta mesdhetare – e pasur në yndyrna të shëndetshme, peshk, drithëra dhe e varfër në ushqime të procesuara dhe mish të kuq – u shpall si dieta më e mirë në botë nga US News & World Report.

Dieta mesdhetare la as shumë dieta të njohura, si ajo keto ose vegane, dhe u cilësua edhe si dieta më e lehtë për t’u mbajtur.

Dieta mesdhetare u prezantua për herë të parë në vitin 1993 bashkë me piramidën e saj ushqimore. Nuk ka një listë fikse me produkte, sepse çdo rajon i detit Mesdhe e përshtat atë në bazë të traditës gastronomike.

E përbashkëta e rajoneve të Mesdheut, ku këtu bën pjesë edhe vendi ynë, është gama e gjerë e ushqimeve: perime, fruta, fara, drithëra, vaj i ullirit, kosi, djathi, peshku, vezët dhe vera.

Sekreti i dietës mesdhetare qëndron te freskia e ushqimeve; ato duhet të jenë bio dhe të sezonit. Dieta mesdhetare lejon në sasi të vogla mishin dhe ëmbëlsirat dhe shoqërohet gjithnjë me aktivitet fizik.

Vaji i ullirit është një ndër sekretet e kësaj diete. Ai duhet të jetë ekstra i virgjër, sepse yndyrat e ngopura janë në përqindje të vogël, krahasuar me vajin e zakonshëm të ullirit.

Përfitimet e dietës mesdhetare: forcon shëndetin e zemrës, mbron organizmin nga kanceri, parandalon mbipeshën dhe diabetin, rezulton më e shëndetshme se dieta vegane.

Dieta mesdhetare është më tepër një stil jetese sesa një dietë e mirëfilltë. Në vijim gjeni një guidë të thjeshtë:

– Çdo ditë fruta dhe perime të stinës.
– Çdo ditë drithëra integrale (grurë, misër, oriz, tërshërë, elb), fasule, thjerrëza, qiqra.
– Dy deri në tre herë në javë duhet të konsumoni peshk dhe prodhime deti.
– Duhet të keni pjesë të dietës suaj ushqimore arrat, bajamet, susamin, farat e kungullit dhe erëzat si rigoni, rozmarina, trumza etj.
– Mish i kuq dhe ëmbëlsira duhet të jenë në sasi të vogla.
– Përdorimi i vajit të ullirit.
– Konsumi i kontrolluar i verës së kuqe dhe çajrave bimorë.
– Aktiviteti fizik.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat