Hazir Gjaka një luftëtar konsekuent dhe njëri ndër më besnikët e Shaban Polluzhës

Dokumentare

Hazir Gjaka një luftëtar konsekuent dhe njëri ndër më besnikët e Shaban Polluzhës

Besnik Gjaka Nga Besnik Gjaka Më 13 prill 2022 Në ora: 18:15
Hazir Gjaka, njëri nga luftëtarët e plejadës së heronjve të mëdhenj në mbrojtje nga pushtimi serb

Hazir Gjaka, lindi në Oshlan të Vuçitërnës më 1887. Është njëra ndër figurat e ndritshme kombëtare të kësaj ane dhe më gjerë. Si i ri njihet me shumë patriot shqiptar dhe burra të odave dhe kuvendeve. Shtëpia e tij prej vitit 1918- 1926 do të jetë çerdhe e lëvizjes kaçake. Në odën e tij kthenin shpesh Azem Bejta e Dan Deroci dhe njerëz të lëvizjes.

Duke qenë shtëpi e madhe shpeshherë këtu kanë drekuar edhe njerëzit e pushtetit. Një herë ndodhi që në të njëjtën ditë të vijnë për drekë Azem Bejta e Dan Deroci dhe komandantët e postës së xhandarmërisë së Barbaniqit dhe Balincit me të arrestuarin Vezir Sheremeti, mikun e Dan Derocit. Kur kthehet buka - Haziri kërkon që të arrestuarit t’i zgjidhen duart dhe të hajë bukë, në të kundërtën u thotë xhandarëve do të përmbys sofrën me të gjitha gjërat ushqimore.

Ata detyrohen të veprojnë sipas urdhrit të Hazir Gjakës. Kur hanë bukë e pyesin se ku janë Azem Bejta e Dan Deroci. Haziri u përgjigjet: "Në të njëjtën shtëpi, në dhomën tjetër. Në kullën tonë, sipas traditës mund të hyjë ai që thërret te dera, por nëse tentoni të bëni diçka brenda kësaj shtëpie dhe fshati, do t’u hedhë në ajër para se të mendoni se ekzistoni".

Më 1924, kur bëhet lufta e njohur e Galicës, Hazir Gjaka do t’i ndihmojë Azem Bejtës kundër ushtrisë jugosllave.

Si njeri i popullit, do të zgjidhet në islihatin e Vuçitërnës dhe do të luaj rol të rëndësishëm në mirëvajtjen e punës së këtij këshilli në pajtimin e familjeve dhe individëve. Aty do të bie në konflikt me disa anëtarë, të cilët ndonjëherë në islihat flisnin turqisht.

Image
Monumenti përkujtimor për Hazir Gjakën

Më 1943, kur lëvizja çetnike tenton të depërtojë në Kosovë kah ana e fshatit Koshtovë të Mitrovicës Hazir Gjaka si vetëtima del në fshatrat Galicë, Lubovec, Akrashticë dhe Oshlan, ku tubon një numër vullnetarësh dhe stopon për 24 orë depërtimin e tyre përderisa vijnë vullnetarë të tjerë prej Drenicës dhe Artakollit.

Hazir Gjaka po në këtë vit në krye të luftëtarëve të Vuçitërnës, do të marrë pjesë edhe në mbrojtjen e Sanxhakut nga çetnikët. Atje do të njihet më mirë me komandantin e gjithë shqiptarëve, Shaban Polluzhën, të cilin e kishte njohur edhe më parë, kur ai kishte ndejtë një kohë në Oshlan, në shtëpinë e tij.

Duke qenë luftëtar konsekuent për çlirimin kombëtar të shqiptarëve të Kosovës, më 1945, Hazir Gjaka, me të mobilizuarit nga Artakolli do t’i bashkëngjitet Shaban Polluzhës dhe do të jetë njëri ndër më besnikët e tij. Në bazë të kujtimeve që e njohën këtë trim të Oshlanit, e sidomos të atyre që morën pjesë në luftën e Drenicës- flitet me admirim të madh, si strateg, trim, humanist dhe i pathyer në rrugën e tij.

Hazir Gjaka, do të jetë komandant i batalionit të IV, të Shaban Polluzhës dhe ndër më stoikët në përleshjet me forcat e ushtrisë jugosllave.

Është e njohur trimëria e tij në Kollë, me Ilaz Kollën. Rezistencë të fortë, Hazir Gjaka ushtrisë jugosllave i bën sidomos në zonën e lirë të Obrisë dhe Rezallës që e pat krijuar Shaban Polluzha.

Është i njohur kushtrimi i tij në Obri në orën 3 të mëngjesit, zëri i të cilit, si rrëfejnë dëshmitarët, u “dëgjua” në katër fshatra të këtij rajoni.

Në kushtrimin e dhënë Gjaka do të theksojë: "Ngrituni i madh e i vogël, burra të të gjitha katundeve të luftojmë dhe t’i mbrojmë njerëzit tonë, familjet, gratë dhe fëmijët tonë nga brigadat e ushtrisë jugosllave, që në fakt në këtë pjesë të Kosovës po sillen si çetnikët, qëllimi i të cilëve është shfarosja.

Mos u dorëzoni, ta ruajmë nderin dhe jetën!" Zëri i tij u dëgjua edhe në Plluzhinë.

Këtij kushtrimi iu përgjigjën të gjithë dhe si zakonisht, i pari në front, Hazir Gjaka, ndihmuar nga trimi i Obrisë Muharrem Smakiqi, ndali depërtimin e ushtrisë jugosllave në këtë rajon. I respektuar nga Shaban Polluzha dhe njerëzit e tij, Hazir Gjaka do të hyjë në frontet kryesore në luftën e Drenicës dhe si përkujtojnë dëshmitarët, do t’i fitojë. I gjatë, i veshur në tirqi të zi e shokë të kuqe, Hazir Gjaka do të bajë rrethatore dhe armë të përsosura të kohës.

Përderisa Hazir Gjaka ishte në front të Luftës në Drenicë, një brigadë serbe informohet se kush ishte dhe nga ishte ai dhe vjen në Oshlan.

Posa hyn në këtë fshat interesohet se a i ka djemtë ai në shtëpi. Me të marrë vesh qëllimin e tyre, familja Gjakaj i largon bijtë Izetin dhe Haradinin. Të revoltuar se nuk mundën t’i gjejnë ata për t’i pushkatuar, brigada serbe, kall shtëpinë e Hazir Gjakës dhe ia merr 90 copë dele, lopët dhe bagëtitë tjera.

Image
Hazir Gjaka, bashkëluftëtari i Shaban Polluzhës

Prej se pat filluar Lufta e Drenicës, tregon djali i tij Izeti, babai vetëm një herë erdhi në shtëpi. Më kujtohet- ishte me nja dy tre shokë. Ndejti fare pak dhe më nuk u kthye. Kur do të përfundojë Lufta e Drenicës, Hazir Gjaka me shokë shpërthen rrethimin nga ushtria jugosllave në Tërstenik, me ç’rast u patën vrarë prijësit Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica. Duke qenë njohës i mirë i terrenit do të dalë në Çiçavicë.

Aty do t’u thotë shokëve të shpërndahen nëpër shtëpitë e tyre se nuk mund të bëhet asgjë, se edhe Shqipëria na e ka kthyer shpinën. I këshillon ata të kenë kujdes dhe të ruhen përderisa të qetësohet situata. Ndërkaq, vet i armatosur dhe si gjithherë stoik vazhdon rezistencën kundër ushtrisë dhe OZN-së jugosllave.

Një ditë marsi, të vitit 1945 hetohet duke kaluar nëpër fshatin Vinac i Epërm nga njerëz të OZN-ës. Në përleshje me ta vret tre kundërshtarë. Ndërkaq vet plagoset në krahun e djathtë.

Pas shumë përpjekjeve kapet i gjallë se më nuk mund të përdorte armë me një dorë dhe maltretohet. E pyesin për emrat e luftëtarëve të tij, por ai nuk tregon asgjë. Vdes nga plagët dhe torturat në Vinac të Epërm.

Njerëzit rrëfejnë se kur u vra Shaban Polluzha, Hazir Gjaka zhgrehet i tëri në vaj. Shokëve u tha: "Vdiq njeriu që la pas vete një pjesë të historisë kombëtare." Qajti gjatë dhe nuk mundi të pajtohej me humbjen e tij.

Dhe nuk shkoi as një muaj ditë dhe ky do të vritet prej të njëjtave forca.

Kujtimi për Hazir Gjakën që jeton në popull siç jeton edhe për shumë patriotë të kësaj periudhe të atillë, do të jetojë përherë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat