Plani për Portin e Durrësit, Bylykbashi ngre shqetësimin: Po tentohet t'u merret shqiptarëve

Durrësi

Plani për Portin e Durrësit, Bylykbashi ngre shqetësimin: Po tentohet t'u merret shqiptarëve

Më: 16 shkurt 2021 Në ora: 22:33
Oerd Bylykbashi

Një marrëveshje e përfolur jo-zyrtarisht mes qeverisë shqiptare dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, parashikon që Porti i Durrësit, të transformohet në një zonë turistike të dedikuar për pasagjerët dhe jahtet. 

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë, Oerd Bylykbashi hodhi akuza ndaj mazhorancës, të cilën e akuzoi se qytetin e Durrësit po e "ndan në llokma”.

Ai theksoi në “Ilva Now” se nuk ka mbetur shqiptar, që nuk është skandalizuar kur ka parë pamjet se si ministra të qeverisë Rama ndanin Portin e Durrësit me “thikë e pirunj në tavolinë Nusretit” në Dubai.

“Durrësi po ndahet me llokma. Porti i Durrësit iu është marrë prej kohësh durrsakëve, dhe iu është marrë tashmë edhe shqiptarëve, nuk do ta kenë më. Nuk ka shqiptar që nuk është skandalizuar nga ato pamje që ka parë se si Porti i Durrësit po ndahet me thikë e pirunj në tavolinat e Nusretit. Janë qeveritarët tanë, të cilët në mënyrë të paturpshme që arrijnë të bëjnë këtë gjë. Nuk është vetëm Durrësi, por kemi  gjithë Shqipërinë”, tha ai.

I pyetur se cili është qëndrimi i Partisë Demokratike për plani prej 2 mld euro që thuhet se do investohen në këtë projekt, Oerd Bylylbashi dha këtë arsyetim:

“Qytetarëve të Durrësit nuk u merret një nga asetet më të mëdha, që nga ana tjetër është një aset strategjik i shqiptarëve. Për momentin s’ka një kontratat të këtij lloji. Porti i Durrësit nuk është i vetmi, por ne kemi koncesione në shëndetësi, koncesioni në të gjitha fushat strategjike, por qëndrimi ynë është i qartë me këtë dhe me të gjitha kontratat e tjera”, tha ai.

Ai tregoi arsyen se pse Partia Demokratike nuk do ta çojë këtë projekt në Gjykatën Kushtetuese para zgjedhjeve të 25 prillit.

“Nëpërmjet kontrollit dhe presionit, që ushtron qeveria mbi ato tre anëtarë të Gjykatës Kushtetuese që i ka zgjedhur me vulën e vet nga parlamenti, do të dalë një vendim 3:3, që do konsiderohet rrëzim i kërkesës dhe për rrjedhojë u mbetet atyre që qeveria u dha këtë koncesion kurruptiv”, tha ai.

Ai theksoi se para zgjedhjeve Partia Socialiste është e gatshme të vjedhë edhe lugët e shqiptarëve. Anëtari i kryesisë së selisë blu shtoi se mazhoranca synon të japë me koncesion edhe varrezat në qytetin bregdetar të Durrësit.

“Këtë janë të gatshëm, për të vjedhur lugët dhe pirunët e familjeve shqiptare. Në Durrës edhe varrezat duan t’i japin me koncesion. Nuk po lënë gjë pa marrë me kontrata koncesionare. Ka veprime konkrete”, theksoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat