Është hapur një fushatë GoFundMe për mbledhjen e fondeve për ngritjen e monumentit të Prof. Gjergj Vlashit në Durrës, me nismën e miqve, kolegëve, artistëve dhe qytetarëve që synojnë të përjetësojnë kontributin e tij në kulturën shqiptare.
"NJË MONUMENT PËR PROF. GJERGJ VLASHIN
Një borxh mirënjohjeje ndaj një jete kushtuar kulturës shqiptare Ka njerëz që largohen nga jeta, por nuk largohen kurrë nga kujtesa e një qyteti dhe e një kombi.
Prof. Gjergj Vlashi, “Nderi i Kombit”, ishte një prej tyre. Regjisor, shkrimtar, dramaturg, skenarist dhe përkthyes, Gjergj Vlashi ia kushtoi jetën artit, letërsisë, teatrit dhe qytetit të tij, Durrësit. Për dekada të tëra ai ishte një nga figurat më të rëndësishme të jetës kulturore të qytetit.
Si regjisor i Estradës Profesioniste të Durrësit dhe një nga pionierët e varietesë shqiptare, ai vuri në skenë mbi 120 shfaqje dhe la gjurmë të thella në historinë e teatrit dhe të humorit shqiptar. Por Gjergj Vlashi jetoi po aq fuqishëm edhe mes librave. Si shkrimtar dhe përkthyes, ai solli pranë lexuesit shqiptar autorë të mëdhenj të letërsisë botërore, ndërsa krijimtaria e tij përfshiu prozën, dramaturgjinë, skenarin dhe studimet kulturore.
Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm u nderua me tituj të lartë, ndër ta “Artist i Popullit”, “Mjeshtër i Madh” dhe “Nderi i Kombit”. Sot, ne - miq, kolegë, shkrimtarë, artistë, qytetarë të Durrësit dhe shqiptarë që jetojnë brenda dhe jashtë atdheut - kemi marrë një nismë: Të ngremë në Durrës monumentin e Prof. Gjergj Vlashit. Jo vetëm për të nderuar një njeri, por për të përjetësuar atë që ai përfaqësoi: librin, skenën, kulturën, qytetarinë dhe dashurinë për Durrësin.
MONUMENTI Monumenti po realizohet nga skulptori mjeshtër Idriz Balani, autor i konceptit dhe bocetit artistik. Në të, Gjergj Vlashi paraqitet i ulur mes librave, duke shkruar - ashtu siç shumë prej nesh e kujtojnë: i rrethuar nga letërsia dhe kultura, në një dialog të pandërprerë me fjalën.
Monumenti synon të mos jetë vetëm një përmendore, por një vepër arti e gjallë në hapësirën publike të Durrësit; një vend ku brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë të mund të takohen simbolikisht me një prej njerëzve që i dha aq shumë kulturës së këtij qyteti dhe të Shqipërisë. Për realizimin e kësaj vepre kemi nevojë për mbështetjen tuaj. Çdo kontribut, pavarësisht shumës, na afron me realizimin e kësaj vepre. Por edhe nëse nuk keni mundësi të dhuroni, mund të na ndihmoni duke shpërndarë këtë fushatë.
Një shpërndarje mund ta çojë nismën tonë te një shqiptar në një tjetër qytet, në një tjetër shtet apo në një tjetër kontinent, që e ka njohur Gjergj Vlashin, ka lexuar librat e tij, ka parë shfaqjet e tij ose thjesht beson se një komb duhet t'i nderojë njerëzit që i kanë shërbyer kulturës së tij. Le ta ngremë së bashku këtë monument. Sepse një qytet që kujton njerëzit e tij të kulturës, ruan edhe kujtesën e vet.
Dhe sepse Gjergj Vlashi meriton të mbetet aty ku kaloi një pjesë të madhe të jetës së tij - mes njerëzve dhe në zemër të Durrësit. ORGANIZATORE E MBLEDHJES SË FONDEVE Jul Ymeraj – SHBA INSTITUCIONE MBËSHTETËSE Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, Durrës Teatri “Aleksandër Moisiu”, Durrës KOMITETI MBËSHTETËS Alketa Myshketa Tragaj – Durrës Mujo Buçpapaj – Tiranë Haxhi Rama Durrës Përparim Kabo Tiranë Hajg Zaharian – Durrës Bardhyl Agasi – Durrës Perikli Goga – Durrës Arben Babameto – Durrës Ramadan Gugashi – Durrës Eduart Xhepa – Durrës Maksim Marku – Durrës Edlir Hoxha – Durrës Gëzim Kabashi Durres Aishe Stari – Durrës Muharrem Hoxha – Durrës Kujtim Turkeshi – Itali Nelo Lukaçi – Durrës Ela Biduli – Francë Florian Vlashi – Spanjë Pluton Vasi – Tiranë Gjergj Prevazi – Tiranë Albar Omeri – Londër Doranin Agalliu – Durrës Flamur Jakupi – Itali Teuta Dhima – Durrës Aurel Kaçulini – Durrës Rajmonda Kamberi – Greqi Shpendi Topollaj – Durrës Teuta Mulaj – SHBA Fatmir Minguli – Durrës Agim Bajrami – Durrës Vladimir Muçaj – Durrës Gëzim Agolli – Durrës Bashkim Hoxha Durrës Gezim Domi Durrës Ilir Paja – Durrës Astrit Tahiri – Durrës Bujar Qesja – Durrës Abdullah Deliallisi – Durrës Naim Kërçuku – Durrës Çdo kontribut është një gur në monumentin e kujtesës. Ta bëjmë së bashku!"