Moti i keq paralizon edhe aktivitetin përpunues të anijeve tregtare në portin e Durrësit

Durrësi

Moti i keq paralizon edhe aktivitetin përpunues të anijeve tregtare në portin e Durrësit

Më: 31 mars 2022 Në ora: 10:25
Foto nga vendi i ngjarjes

Mëngjesin e sotëm vijon prania e kushteve të paqëndrueshme atmosferike duke ndikuar në veprimtarinë përpunuese në portin e Durrësit.

APD bën me dije se ashtu siç ishte njoftuar tragetet ndodhen të akostuara në terminal, pa mundur të nisen nga të dyja anët e Adriatikut.
Po ashtu edhe anijeve të tonazhit të ulët u është pezulluar përkohësisht dalja në det, deri në një urdhër të dytë të Kapitenerisë së Portit.

Ndërkohë katër anije tregtare, dy prej të cilave me çimento dhe dy të tjerat me melamin dhe skrap, ndodhen të akostuara në kalatat portuale dhe po qëndrojnë në pritje të përmirësimit të kushteve të motit, për të vijuar me procesin e ngarkim-shkarkimit.

Sipas APD-së, forca e erës shënon 10-11 m/s, ndërsa forca e detit arrin deri në 7 ballë në det të hapur. Autoritetet portuale dhe detare u kanë kërkuar anijeve në kalata të marrin masa sigurie, ndërsa po monitorojnë situatën për shmangien e incidenteve detare deri në rikthimin në normalitet të kushteve atmosferike.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat