Gjykata lë në burg 6 punonjësit e Portit të Durrësit, zbardhen akuzat që rëndojnë ndaj tyre

Durrësi

Gjykata lë në burg 6 punonjësit e Portit të Durrësit, zbardhen akuzat që rëndojnë ndaj tyre

Më: 23 shkurt 2023 Në ora: 14:18
Durrës

Arrest me burg është masa për 6 punonjësit e policisë së Portit Durrës. Ditën e sotme është mbajtur masa për gjashtë punonjësit e policisë të cilët u arrestuan nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore pasi për ta u zbuluan shkelje të kryera gjatë ushtrimit të detyrës.

Bëhet fjalë për Inspektor Kalosh Sula; Inspektor Luan Çelaj; Inspektor Marsel Farruku; Inspektor Naim Kadrimi; Inspektor Isametin Vranezi dhe Inspektor Eduart Matmuja, ndaj të cilëve rëndojnë akuzat e “Korrupsionit pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim të detyrës”.

Më herët AMP bëri me dije se punonjësit e policisë, “duke keqpërdorur atributet që u jep detyra në P.K.K Port Durrës, lejonin hyrje-dalje të shtetasve të cilët kishin ndalesa për udhëtimin në zonën Shengen në këmbim të vlerave monetare, të cilat varionin nga 5 deri në 100 euro”.

Gjithashtu, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, më herët, në funksion të këtij procedimi, ka caktuar masat e sigurimit personal “Detyrim paraqitje në policinë gjyqësore” për 20 shtetas, të dyshuar për veprën penale të “Korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se këta shtetas kanë kryer ndërveprime korruptive ndaj punonjësve të policisë të përmendur më lart. Vazhdojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat