“Plazhi i lirë” në Durrës/ Lirohen 3 hapësira publike në Kallm, sekuestrohen 70 çadra e shezlongë

Durrësi

“Plazhi i lirë” në Durrës/ Lirohen 3 hapësira publike në Kallm, sekuestrohen 70 çadra e shezlongë

Më: 19 qershor 2025 Në ora: 12:28
Foto ilustrim

Në plazhin e Kallmit, janë liruar tri hapësira publike që ishin zënë pa leje me çadra dhe shezlongë, duke u bllokuar pushuesve aksesin e lirë në bregdet.

Janë hequr dhe sekuestruar 70 komplete plazhi, ndërsa për këtë rast janë marrë masa ndaj tre shtetasve të përfshirë në zënien e paligjshme të territorit publik.

Kontrollet në zonat bregdetare do të vijojnë gjatë gjithë sezonit veror, me synim garantimin e hapësirave të lira për qytetarët dhe pushuesit vendas e të huaj.

Njoftim:

Durrës

Vijojnë kontrollet në vijën bregdetare, në vijim të operacionit policor të koduar “Plazhi i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave publike.

Lirohen 3 hapësira në plazhin e Kallmit, që ishin zënë në mënyrë të paligjshme.

Sekuestrohen 70 komplete me çadra dhe shezlongë.

Procedohen penalisht 3 shtetas.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në kuadër të plan-operacionit "Plazhi i lirë", kanë vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike që zihen pa lejen përkatëse nga subjektet në bregdet, duke vënë çadra dhe shezlongë.

Gjatë kontrolleve, në lagjen nr. 15, në tri hapësira publike në plazhin e Kallmit, u hoqën dhe u sekuestruan 70 komplete me çadra dhe shezlongë, që ishin vënë në mënyrë të paligjshme, nga 3 shtetas.

Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. H., 61 vjeç, E. S., 36 vjeç dhe F. H., 64 vjeçe, të tre banues në Durrës.

Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike, për pushuesit, dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat