Tusk: Qëndrimi në BE, zgjedhja më e mirë për Britaninë

Evropë

Tusk: Qëndrimi në BE, zgjedhja më e mirë për Britaninë

Më: 16 janar 2019 Në ora: 06:29
Theresa May

Zgjidhja e vetme pozitive, pasi parlamenti britanik kundërshtoi marrëveshjen e Kryeministres Theresa May për tërheqjen nga Bashkimi Evropian, është që Britania të qëndrojë në BE, tha të martën kryetari i udhëheqësve të BE-së, Donald Tusk.

Ligjvënësit e hodhën poshtë marrëveshjen e May me unionin për Brexit-in, me një diferencë dërrmuese, 432 kundër me 202 pro, duke shkaktuar trazira politike, që mund të çojnë në një dalje pa marrëveshje nga BE-ja, apo edhe në një ndryshim të vendimit të referendumit 2016-ës për t’u larguar.

“Nëse një marrëveshje është e pamundur dhe askush nuk dëshiron marrëveshje, atëherë kush do të ketë guximin të thotë se cila është zgjidhja e vetme pozitive?”, shkroi Tusk në Tweeter, pas votimit.

Një zëdhënës i Tusk tha se udhëheqësit e 27 vendeve që do të mbeten në BE pas largimit të Britanisë më 29 mars, thanë se kanë shprehur keqardhje për vendimin e parlamentit britanik për të hedhur poshtë marrëveshjen, e cila “mbetet mënyra më e mirë dhe e vetme për të siguruar një tërheqje të rregullt të Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian”.

Udhëheqësit i kërkuan Londrës “të qartësojë synimet e saj në lidhje me hapat e saj të ardhshëm sa më shpejt që të jetë e mundur” dhe tha se ata do të mbeten të bashkuar dhe do të kërkojnë të zvogëlojnë dëmet e shkaktuara nga Brexit. Ata gjithashtu do të vazhdonin procesin e ratifikimit të marrëveshjes së BE, pavarësisht refuzimit të parlamentit britanik.

“Ne do të vazhdojmë përgatitjet tona për të gjitha rezultatet, duke përfshirë një skenar daljeje pa marrëveshje. Rreziku i një daljeje të tillë është rritur me këtë votim dhe, ndërsa ne nuk duam që kjo të ndodhë, ne do të jemi të përgatitur për të”, tha zëdhënësi në deklaratën që u koordinua me 27 kryeqytete.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat