Prokurorët në Vjenë kanë nisur hetimet mbi ish-zëvendës kancelarin e vendit, i cili shfaqej në një video ku diskutonte afera financiare me biznesmenë rusë. Videoja në fjalë, origjina e të cilës nuk dihet ende, çoi në rrëzimin e qeverisë austriake dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.
Prokurorët austriakë deklaruan të enjten se po hetojnë ish-liderin e ekstremit të djathtë, Heinze Chrisitian Strache dhe persona të tjerë në lidhje me videon që e detyroi atë të braktiste koalicionin qeverisës.
Strache u tërhoq nga posti i zëvendës kancelarit dhe kryetarit të partisë së djathtë Partia e Lirisë më 18 maj, pasi mediat në Gjermani publikuan një video të fshehtë ku ai shfaqej me një femër që pretendonte se ishte mbesa e një oligarku rus.
Në video, Strache shfaqej duke ofruar ndihmë për caktimin e tenderave në këmbim të mbështetjes financiare të partisë së tij. Vetë ai deklaroi se videoja ishte katastrofike, por tha se nuk kishte bërë asgjë ilegale.
Por të enjten, një zëdhënës i zyrës së krimit ekonomik dhe korrupsionit në prokurorinë e Vjenës deklaroi se përveç Strache po hetohet edhe Johan Gudenus, një ish-deputet i Partisë së Lirisë, që shfaqej gjithashtu në video. Zëdhënësi saktësoi se hetimi është fokusuar në pistën e shkeljes ligjore dhe përfshin edhe persona të tjerë, për momentin të paidentifikuar.
Më herët, prokurorët vjenezë kishin deklaruar se po hetonin në drejtime të ndryshme lidhur me videon, origjina e të cilës nuk dihet ende, por që ka shkaktuar dëme të konsiderueshme politike në Austri.