Ministri britanik: Vaksina e Pfizer-it, e gatshme për përdorim javën e ardhshme

Evropë

Ministri britanik: Vaksina e Pfizer-it, e gatshme për përdorim javën e ardhshme

Më: 2 dhjetor 2020 Në ora: 11:57
Ministri britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock

Ministri britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock, ka thënë se 800 mijë dozat e para të vaksinës së kompanisë “Pfizer” kundër koronavirusit do të jenë të gatshme në Britani që nga java e ardhshme.

Britania u bë shteti i parë në botë që e miratoi për përdorim urgjent vaksinën kundër koronavirusit, të zhvilluar nga kompania amerikane, “Pfizer”, në bashkëpunim me kompaninë gjermane, “BioNTech”.

Gjatë testimit në njerëz, kjo vaksinë është treguar 95 për qind efektive. Autoriteti rregullues për prodhime mjekësore në Britani vlerësoi se kjo vaksinë është e sigurt për t’u përdorur në masë, shkruan BBC.

Qeveria ende nuk i ka publikuar hollësitë për mënyrën dhe grupet e personave që do të vaksinohen, por dihet që prioritet do të jenë personat e moshuar, personat që ndodhen në qendrat e kujdesit dhe një pjesë e stafit shëndetësor.

Vaksina e zhvilluar nga këto dy kompani është vaksina më e shpejtë që është shndërruar nga koncepti në realitet, duke marrë vetëm dhjetë muaj në një proces që në kushte normale do të zgjaste dhjetë vjet.

Britania e Madhe tashmë ka porositur 40 milionë doza të kësaj vaksine, të cilat do të mjaftojnë për vaksinimin e 20 milionë personave, sepse secili person duhet t’i marrë nga dy doza për ta arritur efektin e vaksinës.

Ministri Hancock tha se vaksinat do të arrijnë aq shpejt sa ka mundësi kompania t’i sjellë nga Belgjika, ku ato prodhohen. Sipas tij, dozat e para do të vijnë javën e ardhshme, ndërsa miliona doza tjera më vonë gjatë dhjetorit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat