​“Kjo zgjidh problemet më të mëdha”, BE dhe Britania ranë dakord për tri marrëveshje

Evropë

​“Kjo zgjidh problemet më të mëdha”, BE dhe Britania ranë dakord për tri marrëveshje

Më: 20 nëntor 2026 Në ora: 16:48
Fotoilustrim

Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian arritën sot tri marrëveshje në samitin në Bruksel mbi forcimin e mëtejshëm të lidhjeve të ndërsjella, 10 vjet pas daljes së vendit nga Unioni, shkruan Reuters.

Marrëveshjet e arritura janë lehtësimi i tregtisë së ushqimit, lëvizshmëria e të rinjve dhe lidhja e sistemeve të tregtimit të emetimeve të njëri-tjetrit.

Marrëveshja më e rëndësishme ekonomike, që pritet të hyjë në fuqi në mars 2028, do të lejojë tregtinë ndërkufitare të kafshëve, bimëve dhe produkteve të lidhura, të tilla si salsiçe, djathë, mollë ose fara, pa certifikatat dhe kontrollet që kërkohen aktualisht.

Nga 2028, sistemet e tregtimit të emetimeve të Britanisë së Madhe dhe BE-së do të lidhen, duke çliruar produktet britanike dhe evropiane, siç është çeliku, nga tarifat kufitare të karbonit të njëri-tjetrit.

Mekanizmi i Rregullimit të Kufirit të Karbonit (CBAM) i BE-së hyri në fuqi në janar 2026 dhe vendos një tarifë emetimesh për importet e çelikut, çimentos, aluminit, plehrave kimike, energjisë elektrike dhe hidrogjenit.

Londra zyrtare do të lansojë CBAM-in e vet nga 1 janari 2027, duke mbuluar të njëjtët sektorë, duke përjashtuar energjinë elektrike.

Të dy palët kanë rënë dakord të lejojnë të rinjtë nga Britania e Madhe dhe BE-ja, të moshës 18-31 vjeç, të punojnë ose studiojnë deri në tre vjet nga janari 2030.

"Marrëveshjet e arritura adresojnë drejtpërdrejt problemet më të mëdha, të tilla si çmimet e ushqimit dhe energjisë, kostot e larta të biznesit, rritja e ulët ekonomike dhe sfidat e të rinjve", tha kryeministri britanik Andy Burnham në një konferencë për shtyp.

Ndërsa, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, theksoi se Evropa mbetet e hapur për "marrëdhënien më të ngushtë të mundshme" me Britaninë e Madhe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat