Partia në pushtet në Poloni synon mediat private

Evropë

Partia në pushtet në Poloni synon mediat private

Më: 10 dhjetor 2020 Në ora: 11:02
Ilustrim

Koncerni më i madh polak i naftës Orlen blen botuesin e medias lokale "Polska Press" nga "Grupi botues Passau" gjermane. Kritikët besojnë, se kjo do t'i japë qeverisë së Polonisë kontrollin mbi median lokale.

Marrëveshja u njoftua në sipërmarrjen gjermane të medias "Passauer Neue Presse" të hënën (7 dhjetor 2020): partneri menaxhues i grupit botues Passau, Alexander Diekmann, i cili është përgjegjës për Poloninë, deklaroi: "Për arsye strategjike, ne vendosëm të shesim aktivitetet polake". Transaksioni i mundëson firmës që të vazhdojë të rritet në Gjermani.

"Ne po marrim drejtimin e shtëpisë botuese "Polska Press", tha kryetari i koncernit të naftës Orlen, Daniel Obajtek, në një video në Twitter. Kompania, në të cilën shteti polak zotëron 27.5 përqind të aksioneve, pra është aksioneri më i madh, tani zotëron 20 nga 24 gazeta rajonale në Poloni. Ekzistojnë gjithashtu rreth 120 revista javore rajonale dhe 500 portale në internet. Orleni tani ka qasje në 17.4 milion përdorues, tha Obajtek. Kjo ndihmon për të optimizuar marketingun e kompanisë dhe për të fituar klientë të rinj.

"Nacionalizimi" i medias ishte një nga parullat më të rëndësishme të partisë polake në pushtet "Ligji dhe Drejtësia" ("Prawo i Sprawiedliwość", shkurtimisht "PiS") në fushatat zgjedhore të viteve të fundit. Menjëherë pas fitores së saj në zgjedhje në vitin 2015, qeveria PiS vuri nën kontroll mediat e shërbimit publik. Gazetarët kritikë ose janë pushuar nga puna, ose kanë dhënë dorëheqjen vullnetarisht.

Hapi tjetër pritet të jenë mediat private, shumica e të cilave më parë kanë qenë në pronësi të kompanive të huaja. Shefi i PiS Jarosław Kaczyński ishte ai që përcaktoi drejtimin: "Shtetet që llogariten në BE - dhe kjo është ajo që duam të jemi ne - e mbrojnë tregun e tyre. Por ne kemi një situatë krejtësisht të gabuar këtu. Ne duhet ta ndryshojmë atë hap pas hapi, në mënyrë që sa më shumë media të bëhen polake, natyrshëm në përputhje me rregullat e shteteve të civilizuara ".

Logjika e PiS

PiS beson se mediat në pronësi të huaj kontrollohen nga politikanë në Berlin ose Uashington dhe se prodhojnë materiale kritike për qeverinë. Kompanitë gjermane me një prani të fortë në Poloni janë halë në sy të partisë në pushtet. Media duhet të jetë në duart polake, idealja në duart e shtetit. Sipas kësaj logjike, e cila ndonjëherë nuk është larg të menduarit sipas teorive konspirative, Mark Dekan, shefi i Ringier Axel Springer Polska (RASP), siguroi disa "prova" të ndikimit të huaj në peisazhin e medias polake.

Ndikim politik

Kritikët nuk kanë dyshim se PiS është e interesuar të ushtrojë ndikim politik me marrjen në kontroll të mediave lokale të Polska Press. Maciej Mrozowski, studiues i medias në Universitetin e Varshavës, e konsideron në rrezik "lirinë dhe pluralizmin e mediave" në Poloni .

"Shumëçka flet se kemi të bëjmë se me një vendim politik, jo vetëm me një biznes," shpjegoi Mrozowski në një intervistë me portalin "Wirtualna Polska". "Marrja e drejtimit neutralizon kritikën e mundshme dhe lejon që të instrumentalizohet përmbajtja," tha eksperti.

Avokati i Popullit flet për kontroll të plotë të mediave

Adam Bodnar, Avokati i Popullit për të drejtat e njeriut në Poloni, gjithashtu jep alarmin: "Marrja e drejtimit për fat të keq tregon se qeveria ka vendosur të ndërmarrë hapa që ne tashmë mund t'i vëzhgonim në Hungari me Viktor Orbanin", tha Bodnari në të njëjtin artikull në " Wirtualna Polska ". Blerja e ndërmarrjes mediatike nga kompania e naftës tregon drejtimin në të cilin po zhvillohet strategjia e PiS: "Pas kontrollit të plotë mbi mediat publike, tani është radha e atyre private"./DW/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat