Franca ia mësyn me ligj ekstremizmit islamik

Evropë

Franca ia mësyn me ligj ekstremizmit islamik

Më: 10 dhjetor 2020 Në ora: 17:26
Emanuel Macron

Qeveria franceze ka bërë të ditur se draft-legjislacioni që synon luftimin e ideologjisë ekstremiste, që ka marrë shumë jetë në tokën franceze viteve të fundit, është “ligj i ri” i domosdoshëm për bashkëjetesë paqësore. Kritikët, përfshirë emisarin amerikan për liri fetare ndërkombëtare, druajnë se kështu mund të përkeqësohet edhe më shumë gjendja

Qeveria franceze është shprehur e vendosur në luftimin e ideologjisë që e sheh si “armik të Republikës”, duke e lansuar draft-legjislacionin për luftimin e islamizmit radikal. Drafti i ligjit është quajtur “ligj i lirisë”, thelbësor për bashkëjetesën paqësore në shoqërinë franceze.

Në një analizë të kolumnistit të gazetës “New York Times”, Roger Cohen, thuhet se ligji i cili është kritikuar nga Turqia dhe vendet e tjera myslimane dhe “si dorë e rëndë” nga emisari amerikan për liri fetare ndërkombëtare, reflekton vendosmërinë e presidentit Emmanuel Macron për t’i adresuar një seri sulmesh terroriste që kanë marrë jetën e më shumë se 260 qytetarëve francezë që nga viti 2015. Tri sulme të ngjashme kanë ndodhur muajve të fundit, përfshirë prerjen e kokës mësuesit të edukatës qytetare, Samuel Paty, i cili ua kishte treguar karikaturat e profetit Muhamed nxënësve të tij, kanë ashpërsuar edhe më shumë qëndrimet lidhur me legjislacionin.

Jean Castex, kryeministër i Francës, ka deklaruar pas aprovimit të draft-ligjit në kabinetin qeveritar, se ligji nuk është tekst që synon t’i godasë religjionet ose specifikisht besimin e myslimanëve. “Është e kundërta – është ligj i lirisë, është ligj i mbrojtjes, është ligj i emancipimit kundër fundamentalizmit religjioz”, ka bërë të ditur ai.

Më parë, lideri qeveritar deklaroi për të përditshmen, “Le Monde”, se “armiku i Republikës është një ideologji që veten e quan islamizëm radikal, qëllimi i së cilës është t’i ndajë francezët njërin nga tjetri”.

Objektivat e ligjit

Me legjislacionin e ri synohet që të frenohet gjuha e urrejtjes në internet, sidomos ajo që shpie drejt sulmeve të ngjashme si ai kundër mësuesit Paty; t’i ndëshkojë mjekët që ofrojnë të ashtuquajtura “certifikata virgjërie” për martesat tradicionale fetare; ndalon shkollimin në shtëpi të fëmijëve mbi tri vjeç; si dhe i detyron bashkësitë e ndryshme fetare që të zotohen për besnikëri ndaj “vlerave të republikës”, e edhe të ketë transparencë të plotë të fondeve të tyre.

Debati për legjislacionin francez ka bërë jehonë edhe jashtë Francës. Presidenti Macron ka qenë në thumb të kritikave sidomos të liderit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, por janë organizuar edhe protesta kundër liderit të Francës pas deklaratave të tij në mbrojtje të publikimit të karikaturave të profetit Muhamed në revistën “Charlie Hebdo”. Macroni ka thënë se nuk do të dorëzohet në luftën e tij për mbrojtjen e vlerave shekullare të republikës franceze. Franca ka mbledhur edhe imamët dhe liderët fetarë të komunitetit mysliman në vend, duke ua prezantuar planin e Macronit, me të cilin kërkohet zotimi i tyre se do t’i respektojnë vlerat franceze, duke përfshirë edhe të drejtën për blasfemi.

Gazeta njujorkeze raporton se fjalët “islamik” dhe “islamist” nuk janë përfshirë në legjislacion, porse “qëllimi i Qeverisë është i qartë”, shkruan Cohen, ish-korrespondent i NYT-it në Evropë: “Të lëshohet deri në rrënjë të kulturës së ndarë të grupeve ekstremiste që i konsiderojnë ligjet islame si superiore kundrejt ligjeve të Republikës”.

Por, në analizë thuhet se kritikët e ligjit mendojnë se ligji mund të rezultojë me kundërefekt. “Rreziku i bashkimit të islamit, religjionit dhe islamizmit, lëvizje politike, është evident. Ligji mund ta ashpërsojë ndjenjën e tëhuajësimit të ndier nga shumëkush, por mbi të gjitha nga myslimanët francezë, të cilët përbëjnë tetë për qind të popullsisë. Getoizimi i emigrantëve myslimanë kryesisht me prejardhje veriafrikane në projekte në periferi të qyteteve të mëdha është një problem i kahershëm shoqëror që qeveritë e njëpasnjëshme janë zotuar ta adresojnë, me sukses të kufizuar”.

Macroni është shprehur i vendosur që ta çojë përpara nismën e tij, pavarësisht paralajmërimeve të përfaqësuesve të komunitetit mysliman, por edhe të kritikëve të tjerë vendas e të huaj.

Ligji ka pësuar tri ndryshime përmbajtjesore në emër, duke reflektuar kështu ndjeshmërinë. Fillimisht i referoheshin si ligj “anti-separatizëm”, për ta ndryshuar pastaj në “ligj për të fuqizuar parimet e republikës”. Do të paraqitet para anëtarëve të Asamblesë Kombëtare, ose dhoma e ulët e Parlamentit, në janar.

Qasja “që mund ta përkeqësojë gjendjen”

Macroni u zotua dy muaj më parë, gjatë një fjalimi të rëndësishëm, se do ta mposhtë “separatizmin islamik” dhe se do ta mbrojë shekullarizimin francez. Ai dhe elita politike në vend pretendojnë se besimi fetar është çështje e lirisë individuale që nuk duhet të përzihet në politikë. “Fjalimi është denoncuar si ‘provokim’ nga presidenti Recep Tayyip Erdogan, pikëpamje që është refuzuar nga shumë francezë, të cilët kanë vuajtur gjatë sulmeve të njëpasnjëshme”, shkruan Cohen, duke cituar edhe ambasadorin amerikan të lirisë fetare ndërkombëtare, Sam Brownback, të ketë thënë se është i shqetësuar me zhvillimet në Francë. Duke iu referuar draft-ligjit, ai ka thënë se “kur qaseni me dorëfortë, gjendja mund të përkeqësohet”.

“Franca me gjasë nuk po shqetësohet fort prej kësaj pikëpamjeje nga një përfaqësues i administratës së Trumpit në largim. E ashtuquajtura ‘ndalesë myslimane’ e Trumpit, që ua ndalonte hyrjen shtetasve të huaj nga shtatë vende me shumicë myslimane ishte dënuar gjerësisht në Francë dhe anembanë botës”, kujton Cohen në vrojtimin e tij, duke tërhequr paralele me zhvillimet në vendin e tij.

Macroni, i cili përballet pas tetëmbëdhjetë muajsh me zgjedhje, është marrë me luftimin e së djathtës politike, ku me të majtën në krizë, duket se po bazohet qendra e gravitetit në politikën franceze. “Qëndrimi i tij i ashpër ndaj islamizmit dhe propozimi i ligjit të sigurisë të stërkontestuar formojnë një pjesë të këtij evolucioni strategjik”.

Në fjalimin e tetorit, Macroni pranoi se shteti francez ka vuajtur nga “forma e vet e separatizmit”, duke dështuar të adresonte margjinalizimin e disa myslimanëve në Francë. U zotua ta drejtonte këtë çështje, por ka një mal me sfida para vetes.

E kryeministri Castex ka deklaruar para gazetarëve se Franca “do të ndërtojë më shumë vendstrehim social, të shpërndarë më mirë në mbarë territorin me qëllim që të thyejë logjikën e getove”. “Kjo premton se do të jetë një proces i gjatë me një rezultat të paqartë, po aq sa përpjekja për të nxjerrë jashtë ligjërisht farat e islamizmit ekstremist”, vlerëson Cohen në fund të analizës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat