Akuzon Navalny: Putini ka pallat përrallor

Evropë

Akuzon Navalny: Putini ka pallat përrallor

Më: 19 janar 2021 Në ora: 21:45
Alexey Navalny

Alexei Navalny, kritiku më i ashpër i Presidentit Vladimir Putin, i cili u burgos gjatë fundjavës, publikoi të martën një video në të cilën ai dhe aleatët e tij thonë se një pallat përrallor në Rusinë jugore i përket udhëheqësit rus, pohim që Kremlini e mohoi.

Aludimet për pallatin, të cilat u shfaqën për herë të parë në vitin 2010, kur një biznesmen i shkroi presidentit të atëhershëm Dmitry Medvedev me ankesën për rryshfet nga zyrtarët e shtetit, vijnë ndërsa mbështetësit e zotit Navalny po u bëjnë thirrje njerëzve t’u bashkohen protestave mbarëkombëtare të shtunën.

Reuters njoftoi në vitin 2014 se pallati në fjalë ishte financuar pjesërisht nga paratë e taksapaguesve nga një projekt spitali prej 1 miliard dollarësh. Një zëdhënës i Putinit në atë kohë nuk iu përgjigj pyetjeve në lidhje me faktet e gjetura nga Reuters.

Navalny dhe fondacioni i tij anti-korrupsion publikuan foto që ata thonë se janë të papara më parë si dhe vizualizime të hollësishme 3-D të bazuara në planet e mjedisve të brendshme luksoze së bashku me një varg dokumentesh që sipas tyre provojnë se pallati buzë Detit të Zi prej 1.36 miliardë dollarësh i përket Putinit.

Reuters nuk mundi të verifikojë në mënyrë të pavarur vërtetësinë e pohimeve.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se pretendimet për pallatin janë të vjetra dhe të pavërteta.

"Unë nuk kam dijeni për këtë hetim," tha Peskov sipas Agjencisë së Lajmeve Interfax. "Megjithatë, mund të them pa dyshim se është një histori e vjetër. E shpjeguam shumë vite më parë se Putini nuk ka ndonjë pallat në Gelendzhik (në Rusinë Jugore)."

Videoja, e cila ka tërhequr më shumë se 3 milion shikime në YouTube, tregoi se pallati përmbante një kazino, teatër, ambiente të brendshme të zbukuruara të stilit carist dhe një shesh patinazhi nëntokësor.

Navalny dhe aleatët e tij kanë ndërmarrë disa hetime në lidhje me pretendimin për korrupsion zyrtar, duke i përdorur ato për të rritur mbështetjen ndaj politikanit të opozitës dhe lëvizjes së tij.

Navalny po mbahet në paraburgim për shkelje të pretenduara të lirimit me kusht pasi u kthye në Rusi të dielën. Ky është kthimi i tij i parë në vend që kur u helmua verën e kaluar./Voa/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat