Rifillojnë bisedimet Turqi-Greqi; synohet ulje e tensioneve

Evropë

Rifillojnë bisedimet Turqi-Greqi; synohet ulje e tensioneve

Më: 23 janar 2021 Në ora: 19:48
Foto ilustrim

Pas muajsh tensionesh në det të hapur me anijet luftarake turke dhe greke që përballen kundër njëri-tjetrit mbi mosmarrëveshjet territoriale, të dy vendet tani kanë vendosur të rinisin bisedimet të hënën, pas një ndërprerje gati pesë-vjeçare. 

Në Stamboll do të zhvillohen të hënën bisedime për të lehtësuar tensionet më të larta prej dekadash midis Turqisë dhe Greqisë.

Anijet luftarake greke dhe turke kanë zhvilluar stërvitje luftarake në ujërat e pretenduara nga të dyja palët. Rajoni i kontestuar që ndan detet Mesdhe dhe Egje besohet të ketë rezerva të mëdha energjetike.

“Ka linja të ashpra në të dyja anët. Ata i shohin negociatat si një kompromis i madh. Ka shpresë; këto bisedime eksploruese, edhe nëse mund të mos japin rezultate konkrete në fund të fundit, do të ndihmojnë Turqinë dhe Greqinë të tërhiqen nga situata e tensionuar aktuale”, thotë Serhat Guvenc, nga Universiteti “Kadir Has”.

Së bashku me thirrjen për rinisjen e bisedimeve pas një ndërprerjeje gati pesë-vjeçare, Ankaraja tërhoqi një anije kërkimore që eksploronte për rezerva energjetike në ujërat e pretenduara nga Greqia.

Pas lëvizjeve diplomatike turke, duket se Bashkimi Evropian ka vendosur të presë, të paktën tani për tani, ndërsa vendi anëtar, Greqia ka bërë thirrje për të vendosur sanksione të ashpra ndaj Turqisë për shkeljen e ujërave territoriale greke.

Ndërsa Athina mirëpriti zyrtarisht bisedimet e së hënës, analistët thonë se Greqia ka pritshmëri të ulëta për këtë proces të vjetër prej një dekade tashmë.

“Ata do të dëshironin të shiheshin sikur po luajnë lojën e dialogut. Askush nuk duhet të presë një përparim në këtë raund të 61-të të bisedimeve. Asgjë nuk ka ndodhur gjatë 60 raundeve të mëparshme, prandaj përse duhet të ndodhë diçka tani”, thotë Cengiz Aktar, shkencëtar politik në Universitetin e Athinës.

Ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu po kërkon të përfitojë nga vullneti i mirë në BE i krijuar nga rinisja e bisedimeve me Greqinë. Ankaraja tashmë po flet për një fillim të ri në marrëdhëniet turke me BE-në. Por, Brukseli pritet të kërkojë hapa konkretë nga Turqia si çmim për përmirësimin e lidhjeve.

“Turqia po bëhet gjithnjë e më e vetmuar, dhe ky është problemi i qeverisë turke, do të thoja. Besueshmëria e presidentit turk, është në rrezik. Ky është problemi - evropianët presin nga Turqia, jo më fjalë, por vepra; Turqia duhet të veprojë”, thotë Huseyin Bagci, Drejtor i Institutit të Politikës së Jashtme Turke.

Presioni diplomatik mbi Ankaranë pritet të rritet me Presidentin Biden, i cili pritet ta tolerojë Ankaranë më pak se paraardhësi i tij.

Rezultati i bisedimeve të hënën në Stamboll mund të ketë pasoja jo vetëm për marrëdhëniet turko-greke, por edhe për marrëdhëniet më të gjera të Turqisë me aleatët e saj perëndimorë./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat