Vaksinat dhe Covid-19: Ballkani Perëndimor ndihet i përjashtuar

Evropë

Vaksinat dhe Covid-19: Ballkani Perëndimor ndihet i përjashtuar

Nga: Francesco Martino Më: 24 janar 2021 Në ora: 12:51
Foto ilustruese

Më 27 dhjetor 2020, pas një pritje të gjatë,plot ankth dhe me shumë shpresa, Bashkimi Evropian nisi fushatën e vaksinimit kundër Covid-19, me dozat e para të vaksinës Pfizer / BioNTech,që u shpërndanë njëkohësisht në të gjitha vendet e BE-së.

Të nesërmen, Komisioni Evropian miratoi një paketë mbështetëse prej 70 milion eurosh (përmes instrumentit të fondeve të para-anëtarësimit IPA-II) për Ballkanin Perëndimor, për t’i ndihmuar shtetet e rajonit të vaksinojnë segmentet më të rrezikuara të popullsisë.

Më 19 janar, burime brenda Brukselit njoftuan se BE-ja po punon mbi një plan për të ndarë dozat e tepërta me fqinjët e saj “të varfër”, si vendet afrikane dhe ato fqinje, duke përfshirë Ballkanin Perëndimor. Por nismat e unionit janë lënë në hije nga shqetësimet dhe pakënaqësitë e shumë vendeve në rajon, të cilat ndihen të lëna pas dore në garën për vaksinat, dhe po përpiqen ende të sigurojnë dozat e nevojshme për të filluar fushatat e tyre të vaksinimit.

Një nga zërat më kritikë ishte ai i kryeministrit shqiptar Edi Rama. “BE na ftoi të investojmë ekskluzivisht në sistemin COVAX. Por nëse do të ndiqnim vetëm udhëzimet e Brukselit do të na duhej të prisnim për një kohë të pacaktuar”- tha Rama më 11 janar, pasi mori dozën e parë të vaksinës Pfizer, pjesë e një donacioni modest nga Gjermania.

Dhe nëse debati mbi rolin e BE-së – egoiste apo altruiste – ka të ngjarë të vazhdojë për një kohë të gjatë, një gjë është e sigurt:vonesat në blerjen e vaksinave dhe organizimin e fushatave të vaksinimit në Ballkanin Perëndimor janë një fakt. Me gjithë kritikat e Ramës, Shqipëria – së bashku me Serbinë – është një nga dy vendet në Ballkanin Perëndimor që tashmë ka arritur të fillojë vaksinimin.

Në fillim të janarit, qeveria e Tiranës njoftoi arritjen e një marrëveshje për blerjen e 500.000 dozave të vaksinës Pfizer / BioNTech, nga të cilat 10.000 kanë mbërritur tashmë në vend. Megjithatë, Rama refuzoi t`a bënte marrëveshjen publike duke përmendur “sekretin tregtar”. Fushata e vaksinimit do të mbulojë në fillim afro 23.000 punonjës në sektorin e kujdesit shëndetësor, së bashku me personat mbi 75 vjeç.

Por sipas medias lokale, rruga e kësaj fushate vaksinimi do të jetë e gjatë:parashikimet më optimiste flasin për të paktën 14 muaj, ndoshta deri në 2vjet. Situata në Serbi është më dinamike. Beogradi arriti të nisë në mënyrë simbolike vaksinimet që më 24 Dhjetor, kur kryeministrja Ana Brnabić ishte ndër të parat që mori dozën e parë të vaksinës (Pfizer/BioNTech, dërgesa e parë 5.000 doza).

Serbia e bëri të qartë se dëshironte të shihte të gjitha opsionet e mundshme, për të siguruar sa më shpejt sasi të konsiderueshme të vaksinave. Më 6 janar, mbërritën në Beograd dozat e para të vaksinës “Sputnik V” të zhvilluara në Federatën Ruse. Qeveria serbe ka blerë në total2 milionë doza nga kjo vaksinë, nga të cilat 250.000 do të mbërrijnë këto ditë.

Disa ditë më parë, më 16 janar, në aeroportin e Beogradit mbërriti një ngarkesë tjetër me 1milion doza të vaksinës kineze “Sinopharm”, ndërsa qeveria njoftoi blerjen e mëtejshme të 8.000 dozave të vaksinës së Oxford/AstraZeneca, falë një marrëveshje dypalëshe me Poloninë.

Kësisoj, Serbia është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor, që është sot i aftë të nisë vaksinimin në masë. Për këtë arsye, është krijuar një sistem regjistrash online në faqen e qeverisjes elektronike të qeverisë serbe. Dhe deri më20 janar ishin regjistruar zyrtarisht 436.000 njerëz, kryesisht mbi 50-vjeç.

Vaksinimi parashikohet të fillojë në shkurt si në Maqedoninë e Veriut ashtu edhe në Kosovë. Që të dyja vendet kanë arritur një marrëveshje me Pfizer/BioNTech, por shpërndarja e dozave të para do të duhet të presë edhe disa javë.

Për momentin, Shkupi ka njoftuar se ka siguruar 800.000 doza të kësaj vaksine deri në fundin e vitit 2021. Data e parë e vaksinimit mbetet ende të përcaktohet, por vaksinat e para do të mbërrijnë në Maqedoninë e Veriut falë një donacioni nga ana e Serbisë, qëdo t’i japë së shpejti rreth 8.000 vaksina.

Më 6 janar, edhe Kosova deklaroi se i pret në shkurt vaksinat e para. Në total, Prishtina ka siguruar blerjen e 535.000 dozave të vaksinës Pfizer/BioNTech përmes një marrëveshje të drejtpërdrejtë me kompaninë farmaceutike, dhe 600.000 të tjera falë një marrëveshje dypalëshe me qeverinë austriake (plus 720.000 doza nga sistemi COVAX).

Ndërkohë, një sasi simbolike e vaksinave pritet të mbërrijë nga Shqipëria, siç njoftoi së fundmi Edi Rama. Por çështja e vaksinave në Kosovë, ka shkaktuar një debat serioz. Më 24 dhjetor 2020, kur qeveria serbe njoftoi shpërndarjen e disa dozave në veri të Kosovës, të banuara kryesisht nga serbët, institucionet kosovare reaguan ashpër dhe presidentja e përkohshme Vjosa Osmani foli për një “shkelje flagrante të marrëveshjeve të Brukselit”.

Homologu serb Aleksandar Vucic reagoi shpejt:“Ne nuk dërguam atje artileri apo tanke, por ilaçe”, tha ai, duke shtuar se ishte i gatshëm të ndihmonte edhe popullatën shqiptare. Në një klimë mosbesimi të vazhdueshme, të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për përdorimin e çështjes për qëllime politike.

Në garën e vaksinave në Ballkanin Perëndimor, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi aktualisht kanë mbetur prapa. Për arsye të ndryshme, të dy vendet nuk kanë arritur ende të sigurojnë vaksinat dhe fati i fushatave të tyre të vaksinimit mbetet për momentin pa perspektiva konkrete.

Deri më tani, Podgorica është përqendruar vetëm në mekanizmin COVAX, i cili për momentin nuk ka dhënë rezultatet e dëshiruara. Kjo ka nxitur polemika të ashpra mbi qeverinë aktuale të Kryeministrit Krivokapić, i cili kohët e fundit mori detyrën, duke akuzuar qeverinë e mëparshme, të dominuar nga figura e presidentit “të përjetshëm” Milo Đukanović, për dështimin për të menaxhuar çështjen delikate.

Duke ndjekur shembullin e Serbisë fqinje, Mali i Zi nuk përjashton asnjë mundësi, përfshirë furnizimet me vaksina nga Federata Ruse ose Kina. Shpresa e qeverisë është që dozat e para mund të mbërrijnë në fund të janarit, por mbetet të shihet nëse kjo do të ndodhë.

Edhe Bosnja shpreson të marrë dozat e para deri në fund të këtij muaji. Por sa i përket Malit të Zi, nuk ka ende asgjë të sigurt. Qeveria qendrore ka porositur blerjen e 1.2 milionë doza përmes mekanizmit COVAX. Ndarjet politike, kanë sabotuar çdo përpjekje për të eksploruar rrugë alternative për blerjen e vaksinave. /Bota.al

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat