Kritika për vaksinimin me hope në Gjermani

Evropë

Kritika për vaksinimin me hope në Gjermani

Më: 26 janar 2021 Në ora: 08:22
Foto ilustrim

Gjermania u përgatit intensivisht për procesin e vaksinimit në muajt e fundit të vitit të kaluar duke ngritur qendrat e vaksinimit dhe ekipet mobile. Por tani njerëzit presin, sepse nuk ka aq vaksina sa duhet.

Në fund të dhjetorit në BE dhe Gjermani filloi procesi i vaksinimit. Deri tani në Gjermani janë vaksinuar më shumë se 1,3 milionë vetë, por fillimi i procecit të vaksinimit u shoqërua që në fillim me kritika, për shkak se nuk nuk mjaftonin vaksinat. Më pas erdhi vështirësia tjetër. Prodhuesit BioNTech Pfizer kanë njoftuar para pak ditësh, se do të ketë vonesa në furnizim. Rikonstruktimet në fabrikat e tyre në Belgjikë që lejojnë një prodhim të gjerë do të bëjnë që për një kohë të shkurtër të prodhohen më pak vaksina.

Me kritika reagojnë mediat në Gjermani ndaj procesit të vaksinimit. Në një koment të gazetës gjermane „Heilbronner Zeitung" të premten thuhet, se përgjegjësit në qeverinë gjermane dhe BE ia bëjnë vetes të lehtë, kur flasin për vështirësi furnizimi. "Ata thjesht kanë porositur shumë pak vaksina. Një vështrim drejt Izraelit duhet t‘i bëjë të skuqen politikanët këtu. Në shtetin prej 2,9 milionë banorësh janë vaksinuar 2,4 vetë, në Gjermani 1,3 milionë nga 83 milionë vetë. Nëse vazhdon kështu duhet ta harrojmë perspektivën e një vere të relaksuar”, shkruan me tone kritike gazeta gjermane.

Image
Pavioni i reanimacionit, spitali Bethel, Berlin

Zhgënjim në klinikat gjermane

Prej muajsh Gjermania u përgatit për vaksinimin masiv, por tani në qendrat e vaksinimit punohet pak. Kjo gjendje sjell pasiguri, sidomos në klinikat spitalore që janë gati për vaksinim, si në qendrën e vaksinimit në spitalin e Berlinit, Bethel. Gjithçka është gati dhe sipas planeve, qindra njerëz do të mund të vaksinoheshin, por frigoriferi që duhet të mbajë vaksinat është bosh. Kryemjeku Hans Weigeldt, i ngarkuar për pandeminë në spitalin Bethel, thotë se është i zhgënjyer me gjendjen. "Ne kemi disa muaj në angazhim të pandërprerë dhe vaksina është një rreze shprese për të gjithë, prandaj vetëm mund të shpresoj që të fillojmë sa më shpejt me procesin.”

Furnizimi me serumin e shumëpritur kryhet me ndërprerje, sepse ka pak vaksina, dhe qendrat e vaksinimit janë larg të qenit të mbingarkuara. Koordinatori i qendrës së vaksinimit, Albrecht Broemme. thotë, se "shifra maksimale është tek 20.000 vaksinime. Se kur do ta arrijmë këtë varet nga koha, se kur vjen vaksina tek ne."

Në një kohë që vaksina u zhvillua në Gjermani, pikërisht në këtë vend ka shumë mungesa. Shpresat tani janë varur edhe tek vaksinat e tjera: Plani është që në verë  çdo gjerman të mund të vaksinohet. Ky është objektivi i qeverisë gjermane./DW

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat