Testi prototip për COVID-19, me rezultat tri herë më të shpejtë

Evropë

Testi prototip për COVID-19, me rezultat tri herë më të shpejtë

Më: 24 shkurt 2021 Në ora: 16:59
Ky test i ri, i krijuar në Francë, është po aq i saktë sa edhe testi PCR dhe nuk kërkon të përpunohet në laborator

Studiuesit francezë kanë krijuar një test të koronavirusit, për të cilin kanë thënë se i jep rezultatet tri herë më shpejt sesa testet rapide të antigjenit dhe sipas të dhënave të para të testimit ofron gati të njëjtën saktësi sikurse testet e tjera më të ngadalshme, si testet PCR.

Testi elektrokimik, i cili përdor nanotrupa të marra nga grupet e deveve, e jep rezultatin brenda 10 minutash dhe, në testimin e parë të 300 mostrave, është dëshmuar se është 90 për qind i saktë, sikurse testi PCR, edhe për testet negative, por edhe për ato pozitive.

Ky test prototip është duke u zhvilluar nga shkencëtarët në universitetet e Lilles dhe Marseilles, si dhe nga qendra e studimeve kombëtare franceze CNRS.

Testi nuk kërkon që të përpunohet në laborator dhe rezultatet mund të lexohen nëpërmjet një telefoni të mençur.

“Mund të jetë prodhuar masivisht shumë shpejt dhe ka aplikacione të dukshme në spitale dhe aeroporte, por edhe për mjekët familjarë dhe farmacistët”, u ka thënë mediave lokale David Devos, profesor i farmakologjisë në Universitetin e Lilles.

Testet shumë të ndjeshme PCR apo testet e reaksionit zinxhiror polimerazë janë përdorur gjerësisht për ta zbuluar sëmundjen COVID-19, por janë të shtrenjta për t’u bërë dhe, për shkak se duhet të përpunohen në kushte laboratorike, pacientët zakonisht duhet të presin nga 48 orë për rezultatin.

Testet e lira rapide të antigjenit, të cilat janë kombinim i testeve me anë të lëngut në hundë e fyt, zakonisht i kanë dhënë rezultatet brenda gjysmë ore, por janë kthyer në një temë të nxehtë diskutimi në mesin e shkencëtarëve, pasi që priren t’i zbulojnë vetëm njerëzit që kanë shumë material viral, kështu që i anashkalojnë rastet e pacientëve me nivel më të ulët të virusit.

Testi prototip francez, i quajtur CorDial-1, përdor një teknologji krejtësisht të ndryshme.

Copëzat e vogla të antitrupave, të njohura me emrin nanotrupa, janë imobilizuar në një elektrodë për t’u shndërruar në një “biosensor elektrokimik”, ka thënë Sabine Szunerits, profesoreshë universitare në Lille dhe specialiste e biosensorit dhe nano-mjekësisë.

Ky test, i cili do të kalojë nëpër një testim tremujor me 1.000 pjesëmarrës, i përdor nanotrupat e marra nga grupet e deveve - ku përfshihen gamilet, lamat dhe alpakat – për shkak se janë më të qëndrueshme sesa antitrupat e kafshëve të tjera.

Nanotrupat e zbulojnë proteinën majë të virusit SARS-CoV-2 në një mostër biologjike dhe reagojnë, duke e ndryshuar rrymën elektrike përreth elektrodës. Ky ndryshim matet nga një pajisje që ka madhësinë e USB-së dhe shfaqet aty për aty në ekranin e një telefoni të mençur, që është i lidhur në të, si sinjal i një grafike.

“Lartësia e sinjalit tregon nëse mostra është pozitive apo negative”, ka thënë Szunerits, duke shtuar se pasi që metoda është krijuar së fundmi, duhet të jetë në gjendje t’i dallojë edhe mutacionet e reja të koronavirusit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat