Policia në Tuz mbyll bizneset e gastronomisë

Evropë

Policia në Tuz mbyll bizneset e gastronomisë

Më: 25 shkurt 2021 Në ora: 10:17
Pamje nga protestat në Tuz.

Policia malazeze ka shkuar të enjten në mëngjes në Komunën e Tuzit, në Mal të Zi, për të mbyllur disa biznese të gastronomisë, të cilat ishin të hapura pavarësisht masave të marra nga Ministria e Shëndetësisë, për luftim të koronavirusit.

Kësaj mase i është kundërvënë kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, dhe disa qytetarë, të cilët e kanë bllokuar sheshin në drejtim të Podgoricës, duke thënë se nuk do të lëvizin derisa nuk shkojnë aty kryeministri Zdravko Krivokapiq dhe zëvendëskryministri, Dritan Abazoviq.

Gjeloshaj u ka thënë këtyre dy zyrtarëve se do t’i presë në rrugë.

“Ka të bëjë me diskriminim, sepse asnjë komunë nga Grupi 1 i Tabelës së Institutit të Shëndetit Publik nuk është mbyllur, përveç Tuzit. Për shkak të hakmarrjes së kryeministrit dhe zëvendëskryeministit ndaj qytetarëve të Tuzit. Hakmarrje për shkak të shpalosjes së flamurit. Meqë e dimë se ata po e bëjnë këtë për arsye, ne po i ftojmë për të biseduar. Le të dalin para popullit dhe le të sqarojnë pse po diskriminohemi. Këtu po i presim”.

Në ndërtesën e Komunës së Tuzit janë parë së fundmi flamuj të Kosovës dhe Shqipërisë.

Gjeloshaj ka thënë se të mërkurën u ka nisur tërë ditën mesazhe këtyre zyrtarëve, mirëpo ata nuk janë lajmëruar nëse do të shkojnë të enjten në këtë komunë.

Gjeloshaj ka thënë se i pret “nëse janë të interesuar për qytetarët”.

“Në vend që ata të vijnë, ata po dërgojnë policinë, kjo është përgjigjja që ata kanë ndaj qytetarëve të Komunës së Tuzit”.

Aktualisht në Tuz janë 95 persona të infektuar me koronavirus, dhe kjo komunë gjendet në zonën e ashtuquajtur të gjelbër, ku shkalla e epidemisë nuk është në rritje./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat