Pfizer: Bosnja nuk ka përmbushur kushtin për vaksina

Evropë

Pfizer: Bosnja nuk ka përmbushur kushtin për vaksina

Më: 25 shkurt 2021 Në ora: 17:45
Pfizer

Kompania Pfizer ka bërë të ditur se vaksinat e saj ka shumë të ngjarë të mos mbërrijnë në Bosnjë e Hercegovinë as në muajin mars, pasi kushtet për fillimin e porosisë së dërgesave brenda sistemit COVAX nuk janë përmbushur, njofton portali Klix.

Zyrtarë të Pfizer-it thanë për portalin e Sarajevës se disa ditë më parë kompania ka dërguar një letër tek autoritetet e Bosnjës me paralajmërimin se jo të gjitha kushtet për fillimin e shpërndarjes së vaksinës COVAX janë përmbushur.

Sipas Pfizer, për shpërndarjen e vaksinave, vendet duhet të kenë dokumentacion mbi miratimin rregullator kombëtar të vaksinave, të lëshuar nga agjencia rregullatore kombëtare kompetente.

Klix përkujton se institucioni kompetent në Bosnjë – Agjencia e Barnave nuk e ka aprovuar Pfizer dhe nuk ka asnjë dokument që mbështetet në aprovimin e vaksinës së kësaj kompanie në Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe të ngjashme.

“Ne (Pfizer dhe COVAX) do të punojmë me qeverinë mbi hapat e nevojshëm për të mundësuar që furnizimet të rifillojnë sa më shpejt të jetë e mundur. Marrëveshja me COVAX nuk është pjesë e marrëveshjes dypalëshe midis shtetit të BeH dhe Pfizer, për të cilën ne shprehëm një qëllim të qartë në vjeshtën e vitit të kaluar”, thuhet në deklaratën e Pfizer.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat