Vuçiq arrin në Sarajevë së bashku me vaksina

Evropë

Vuçiq arrin në Sarajevë së bashku me vaksina

Më: 2 mars 2021 Në ora: 12:41
Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, arriti të martën në Sarajevë, së bashku me 10,000 vaksina kundër koronavirusit.

Dozat e vaksinës AstraZeneca do të shpërndahen në Federatën e Bosnjës - njërin nga dy entitetet e këtij vendi.

Vuçiq tha në Aeroportin e Sarajevës se “është i lumtur nëse këto vaksina shpëtojnë jetë në Bosnje e Hercegovinë”.

“Cilëndo vaksinë që e duan qytetarët e Bosnjës, ne do ta shpërndajmë. Çështja është te besimi në njëri-tjetrin. Ne kemi pritur ndihmën e njerëzve shumë më të fuqishëm, por po mbështetemi te njëri-tjetri. Ne në Serbi nuk mund të jemi të lumtur nëse njerëzit në Sarajevë, Banja Llukë ose Tuzëll nuk janë të lumtur”, tha Vuçiq.

Entiteti tjetër i Bosnjës, Republika Sërpska, ka nisur vaksinimin në shkurt, po ashtu me vaksina të dhuruara nga Serbia.

Republika Sërpska ka pranuar vaksina ruse Sputnik V.

Serbia i ka dhuruar vaksina edhe Malit të Zi, edhe Maqedonisë së Veriut.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Serbia besohet se ka vaksinuar numrin më të madh të qytetarëve kundër koronavirusit.

Autoritetet serbe kanë thënë se kanë siguruar vaksina ruse, kineze dhe të kompanive perëndimore, si: Moderna, Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca.

Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk ka nisur ende imunizimin e popullatës kundër koronavirusit./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat