Rritet sërish numri i infektuarve me COVID-19 në Evropë

Evropë

Rritet sërish numri i infektuarve me COVID-19 në Evropë

Më: 7 mars 2021 Në ora: 11:53
Foto ilustrim

Numri i rasteve të infektimit me coronavirus është duke u rritur sërish në gjithë Evropën, duke i dhënë fund trendit gjashtëjavor të rënies, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Evropa ka regjistruar 1 milion të infektuar javën e kaluar, 9 për qind më shumë sesa java paraprake.

Rritja e numrit të rasteve është nxitur nga përhapja e varianteve të reja dhe “hapja e shoqërive në mënyrë jo të duhur dhe të pakontrolluar”, ka thënë Hans Kluge, drejtor për Evropën në OBSH.

I ashtuquajturi variant britanik i coronavirusit, i identifikuar fillimisht në Britani të Madhe, është përhapur tanimë në 27 vendet evropiane të monitoruara nga OBSH-ja.

Kjo agjenci për shëndetin e Kombeve të Bashkuara ka thënë se varianti britanik është dominant në të paktën dhjetë shtete: Britani, Danimarkë, Itali, Irlandë, Gjermani, Francë, Holandë, Izrael, Spanjë dhe Portugali.

Sipas Qendrës Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, prej fillimit të pandemisë e deri më tani janë regjistruar mbi 22.5 milionë raste të konfirmuara me coronavirus dhe rreth 547,000 vdekje në 30 shtetet evropiane që monitoron.

Aktualisht situata është serioze në Republikën Çeke, e cila këtë javë ka regjistruar rekord të gati 8,500 personave të shtrirë të spitale, të prekur nga sëmundja COVID-19, që shkakton coronavirusi.

Polonia është duke hapur spitalet e përkohshme dhe është duke rikthyer një izolim të pjesshëm pasi varianti britanik ka rritur 35 për qind të infektimeve.

Ndërkohë, dy pacientë nga Sllovakia – vend i prekur rëndë nga pandemia – janë dërguar më 6 mars në Gjermani, meqë autoritetet gjermane kanë thënë se kanë ofruar shërbime për 10 pacientë.

Rritja e fundit raportohet teksa disa shtete evropiane janë duke garuar për të vaksinuar popullatat e tyre, ndonëse me ritëm më të ngadalshëm për dallim nga Shtetet e Bashkuara, Izraeli, Kili dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ndërkohë, pjesa më e madhe e Evropës, nga Greqia në Irlandë dhe nga Portugalia në Sllovaki, janë duke zbatuar shkallë të ndryshme të izolimit.

Mijëra persona kanë protestuar më 6 mars në Austri, Zvicër, Suedi dhe Irlandë, meqë muaj të tërë të izolimit kanë rritur dëmet ekonomike dhe tensionet shoqërore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat