Pandemia, si një test historik për njerëzimin

Evropë

Pandemia, si një test historik për njerëzimin

Nga: Carl Bildt, Project Syndicate Më: 24 mars 2021 Në ora: 18:20
Carl Bildt

Me “nacionalizmin e vaksinave” që po përshkallëzohet nga dita në ditë, po rrezikohet jo pak përpjekja globale për t’i dhënë fund pandemisë së Covid-19. Që nga mesi i marsit të vitit të kaluar, koronavirusi i ri ka infektuar zyrtarisht afro 120 milion njerëz në të gjithë botën, duke shkaktuar rreth 2.6 milion vdekje.

Megjithëse këto janë shifra të mëdha, ato përfaqësojnë vetëm një pjesë të popullsisë globale, çka do të thotë se pandemia ka ende një rrugë të gjatë për të bërë. Në këtë aspekt, lajmi i mirë është përpjekja historikisht e pashembullt për t’u përballur me këtë krizë.

Megjithëse zhvillimi i njënjë vaksine të re, nga eksperimentale deri tek miratimi nga entet rregullatore zgjat deri në një dekadë, kompanitë farmaceutike e kanë përfunduar në më pak se 1 vit këtë proces. Organizata Botërore e Shëndetësisë tashmë ka miratuar 4 vaksina anti-Covid për përdorim urgjent, ndërsa të tjerat ka të ngjarë të miratohen së shpejti.

Për më tepër, mekanizmat e rinj ambiciozë globalë janë krijuar në mënyrë të tillë për të lehtësuar shpërndarjen e shpejtë dhe të drejtë të vaksinave në të gjithë botën .Për shembull, që nga prilli i 2020-ës, Qasja e Përshpejtuesit të Mjeteve kundër Covid-19 (ACT) e OBSH, që përfshin të gjitha aspektet e luftës kundër pandemisë, ka ndihmuar në luftën kundër virusit duke lehtësuar një nga përpjekjet më të shpejta dhe më të koordinuara për shëndetin publik në histori.

Falë kësaj pune struktura e COVAX ka filluar shpërndarjen e vaksinave në të paktën 50 vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme në të gjithë botën (edhe pse furnizimet fillestare kanë qenë të kufizuara në fazat e hershme të prodhimit të vaksinave).

Por përveç këtyre nismave, shumica e vendeve janë të fiksuara pas gjendjes së tyre vetjake, duke e neglizhuar ndërlidhshmërinë globale, e cila na lë që të gjithë të prekshëm derisa virusi të mund të zhduket kudo. Siç e ka theksuar vetë OBSH, askush nuk është i sigurt derisa të sigurt të jenë që të gjithë.

Dhe siç po e shohim vetë, ekziston një rrezik i lartë që variante të reja të koronavirusit të prishin,apo madje të sabotojnë të gjithë fushatën e vaksinimit. Aktualisht kemi të bëjmë me variantet e reja britanike (B.1.1.7), afrikano-jugore (B.1.351) dhe braziliane (P.1), dhe nuk ka asnjë shenjë se ku do të shfaqet varianti i radhës.

Sa më gjatë të vazhdojë pandemia, aq më shumë mundësi do të ketë virusi që të krijojë mutacione të reja të rrezikshme, që mund të shmangin vaksinat që janë aktualisht në përdorim. Dhe pyetja nuk është nëse, por kur. Për më tepër, kur të shfaqen variantet e reja, ne duhet të parashikojmë që ato do të përhapen herët a vonë në të gjithë botën.

Tanimë duhet ta dimë se kufijtë kombëtarë dhe largësia fizike, ofrojnë vetëm një mbrojtje të kufizuar. Përveçse na mbron nga një kërcënim biologjik, një reagim gjithëpërfshirëse dhe i koordinuar në nivel global, ka gjithashtu një justifikim të qartë ekonomik.

Në ekonominë tonë globale shumë të integruar, situata e vështirë në një rajon do të ndihet domosdoshmërisht edhe diku tjetër. Një studim befasues i kohëve të fundit i porositur nga Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë, paralajmëron se “ekonomia globale do të humbë deri në 9.2 trilionë dollarë, në rast se qeveritë nuk arrijnë të sigurojnë qasje në zhvillimin e ekonomisë në vaksinat kundër Covid-19.

Dhe raportet nga “RAND Europe” dhe “Eurasia Group”ofrojnë përfundime të ngjashme. Kostoja e luftës kundër kësaj pandemie duhet parë në këtë këndvështrim. Nismës ACT i duheshin 38 miliardë dollarë për vitet 2020-2021. Një mobilizim i paparë i burimeve nga qeveritë dhe sektori privat, si dhe kontributet filantropike, e ka reduktuar hendekun e financimit në 22 miliardë dollarë.

Kjo shifër është e papërfillshme në krahasim me humbjet e mundshme të vlerësuara më sipër, për të mos përmendur triliona dollarët që janë shpenzuar tashmë për të mbështetur familjet dhe bizneset gjatë vitit të kaluar. E megjithatë, kërcënimi nga nacionalizmi i vaksinave është shumë i madh.

Qeveritë gjenden nën një presion të fortë politik të brendshëm për të siguruar vaksina për popullatat e tyre, para se të lejojnë dërgimin e tyre diku tjetër. Dhe disa vende, si Kina, India dhe Rusia, kanë filluar që t’i përdorin furnizimet e tyre si një instrument në politikën e tyre të jashtme.

Megjithatë, ndonëse nacionalizmi i vaksinave mund të jetë shumë joshës për politikë-bërësit, ai është në fund të fundit vetë-shkatërrues. Çdo kufizim i ri, kufizon në mënyrë të pashmangshme shpërndarjen e përgjithshme të vaksinave, dhe e bën më të mundshme që ato të mos arrijnë vendet ku janë urgjentisht më të nevojshme.

Më shumë se kurrë më parë, ne kemi nevojë për një ekonomi globale të hapur, transparente dhe që funksionon mirë. Dhe më shumë se kurrë, kemi nevojë për udhëheqës politikë që të sillen si burra shteti, dhe jo si takticienë. Mos harroni:po përballemi me një test historik të aftësisë sonë, për t’u bashkuar kundër një kërcënimi të përbashkët.

Sigurisht, të gjitha konfliktet, rivalitetet dhe burimet e tensionit tonë gjeopolitik janë aty.

Por pyetja tani është nëse mund t’i lëmë ato pas, tani që e kërkon situata. Tani jemi ne përkundrejt tyre – njerëzimi kundër virusit dhe mutacioneve të tij të shumta. Ne do të rezistojmë ose rrëzohemi së bashku.

Shënim:Carl Bildt, ministër i jashtëm i Suedisë në vitet 2006-2014, dhe kryeministër në vitet 1991-1994. Ka shërbyer si i dërguari special i OKB-së për Ballkanin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat