VOA: Merkel: BE-ja ka nevojë të rrisë prodhimin e vaksinave

Evropë

VOA: Merkel: BE-ja ka nevojë të rrisë prodhimin e vaksinave

Më: 25 mars 2021 Në ora: 18:27
Angela Merkel

Problemet e Bashkimit Evropian në sigurimin e furnizimeve me vaksina të koronavirusit kanë theksuar nevojën që blloku të dyfishojë përpjekjet e tij për të prodhuar dozat e veta, tha të enjten kancelarja gjermane Angela Merkel.

Duke folur në parlament përpara një takimi të nivelit të lartë të BE-së, kancelarja Merkel pranoi se vaksinimet në Gjermani nuk kanë shkuar me ritmin që shpresohej. Por ajo hodhi poshtë kritikat se nuk ishin porositur vaksina të mjaftueshme dhe tha se problemi ishte shpejtësia e shpërndarjes.

“Ne po shohim qartë se kompanitë farmaceutike britanike po prodhojnë për Britaninë e Madhe. Shtetet e Bashkuara nuk po eksportojnë dhe për këtë arsye ne jemi të varur nga sasia që mund të prodhohet në Evropë, "tha ajo.

Kancelarja tha se udhëheqësit evropianë kanë në plan të diskutojnë në takimin e nivelit të lartë rreth mënyrave se si blloku mund të sigurojë një furnizim më të qëndrueshëm të vaksinave në të ardhmen.

Zonja Merkel më parë i kishte kërkuar BE-së të jetë "shumë e kujdesshme" në ndalimin e eksportit të vaksinave. Por ajo tha se mbështet përpjekjet e komisionit ekzekutiv të bllokut për të siguruar që kontratat e vaksinave zbatohen, duke cituar problemet e furnizimit që BE-ja ka pasur me vaksinën e AstraZeneca-s.

Ajo i tha parlamentit se përveç sigurimit të furnizimeve të saj me vaksina, BE-ja duhet të punojë me vendet e tjera prodhuese për të siguruar që ka mjaft vaksina të disponueshme për të gjithë në botë.

"Nëse nuk kemi sukses për këtë, do të përballemi vazhdimisht me mutacione, të cilat rrisin rrezikun e mundshëm që vaksinat të mos jenë më efektive," tha kanceralja.

Gjermania ka regjistruar më shumë se 75,000 vdekje që nga shpërthimi i pandemisë. Qendra për kontrollin e sëmundjeve në vend raportoi të enjten 22,657 raste të reja ditore, nga 17,504 raste të reja ditore që u shënuan një javë më parë.

Merkel dhe guvernatorët e shteteve (landeve) ranë dakord më parë këtë javë për një strategji të re në përpjekje për të ngadalësuar përhapjen e virusit, megjithëse kancelarja u tërhoq nga një mbyllje e planifikuar 5-ditore gjatë Pashkëve.

Restorantet, baret dhe shumë ambiente të tjera vazhdojnë të mbeten të mbyllura.

Gjermania aktualisht po regjistron 113.3 raste të reja javore për 100,000 banorë në të gjithë vendin që variojnë në rajone të ndryshme.

Merkel u bëri thirrje gjermanëve që të vaksinohen sa më shpejt që të munden dhe të përdorin testet e koronavirusit për të ndihmuar në ngadalësimin e përhapjes së virusit derisa të vaksinohen më shumë njerëz.

"Sa më shumë të testohemi, aq më pak kufizohemi", tha ajo.

Kancelarja Merkel tha se me vaksinat dhe testet e shtuara, mund të shihet "dritë në fund të tunelit " dhe u kërkoi gjermanëve të jenë sa më pozitivë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat