VOA: Britania do të lehtësojë masat bllokuese për COVID-19

Evropë

VOA: Britania do të lehtësojë masat bllokuese për COVID-19

Më: 6 prill 2021 Në ora: 00:52
Boris Johnson

Dalja e ngadaltë, por e qëndrueshme e Britanisë nga një mbyllje tremujore, vazhdon të jetë në rrugën e duhur, megjithëse rastet e koronavirusit po rriten në vende të tjera të Evropës, njoftoi të hënën kryeministri Boris Johnson. Ai konfirmoi se bizneset nga floktoret deri tek bibliotekat do të lejohen të rihapen javën e ardhshme.

Megjithatë zoti Johnson tha se është shumë shpejt për të vendosur, nëse banorët e Mbretërisë së Bashkuar do të jenë në gjendje të udhëtojnëjashtë vendit për pushime verore. Ai konfirmoi se qeveria do të vërë në provë një sistem të diskutueshëm të "pasaportave të vaksinës" - një mënyrë që njerëzit të ofrojnë provë se kanë mbrojtje nga COVID-19 - si një mjet për të ndihmuar në kthimin e sigurt tek udhëtimet dhe ngjarjet e rëndësishme.

Katër javë pasi Britania bëri hapin e saj të parë të daljes nga bllokimi duke rihapur shkollat, zoti Johnson tha se programi i vaksinimit i Britanisë po vazhdonte mirë dhe infeksionet po binin. Ai tha se hapi i ardhshëm do të vinte siç ishte planifikuar në 12 Prill, me rihapjen e floktoreve, salloneve të bukurisë, palestrave, dyqaneve jo-thelbësore dhe patiove të barit dhe restorantit.

"Ne bëmë një plan dhe po i përmbahemi," tha zoti Johnson gjatë një konference për shtyp.

Por, shtoi ai, "Ne nuk mund të biem në vetëkënaqësi. Po e shohim se si vala e sëmundjes po prek vendet e tjera dhe e dimë se çfarë mund të ndodhë”.

Edhe një masë ndalimi për të kaluar natën jashtë shtëpisë në Angli do të hiqet gjithashtu më 12 Prill dhe vende të hapura si kopshtet zoologjike dhe kinematë në qiell të hapur mund të funksionojnë përsëri.

Skocia, Uellsi dhe Irlanda e Veriut po ndjekin rrugë të ngjashme por me pak ndryshime.

Britania ka regjistruar pothuajse 127,000 vdekje nga koronavirusi, numri më i lartë në Evropë. Por infeksionet dhe vdekjet kanë rënë ndjeshëm gjatë mbylljes aktuale dhe që nga fillimi i një fushate vaksinimi, gjatë së cilës i është dhënë një dozë e parë më shumë se 31 milion njerëzve, ose gjashtë ndër 10 të rriturve.

Qeveria synon t'u japë të gjithë të rriturve të paktën një dozë vaksine deri në korrik dhe shpreson që një kombinim i vaksinimit dhe testimit masiv të lejojë kthimin e aktiviteteve në mjedise të brendshme dhe atyre në shkallë të gjerë.

Qeveria thotë gjithashtu se të gjithë të rriturit dhe fëmijët në Angli do të inkurajohen të bëjnë teste rutinë të koronavirusit dy herë në javë si një mënyrë për të shmangur shpërthimet e reja. Qeveria tha se teste të shpejtë falas do të jenë në dispozicion falas duke filluar nga e premtja me postë, që nga farmacitë e deri tek vendet e punës.

Këto testet japin rezultat brenda disa minutash por janë më pak të sakta sesa testet PCR të përdorura për të konfirmuar zyrtarisht rastet e COVID-19. Por qeveria këmbëngul se ata janë të besueshëm dhe do të ndihmojnë në gjetjen e njerëzve që i prek virusi por nuk kanë simptoma.

Britanikët aktualisht janë të ndaluar me ligj të shkojnë me pushime jashtë vendit nën kompetencat e jashtëzakonshme që Parlamenti i ka dhënë qeverisë për të luftuar pandeminë. Qeveria tha të hënën se nuk do të heqë ndalimin e udhëtimit para datës 17 maj - dhe ndoshta edhe më vonë.

"Qeveria shpreson që njerëzit të jenë në gjendje të udhëtojnë brenda dhe jashtë Britanisë së Madhe për pushime veror këtë vit, por është ende shumë shpejt për të ditur se çfarë do të jetë e mundur," thuhet në një njoftim zyrtar.

Sapo të rifillojë udhëtimi, Britania do t’i klasifikojë vendet sipas një sistemi me ngjyrat e semaforit:jeshile, të verdhë ose të kuqe bazuar në nivelin e tyre të vaksinimeve, infeksioneve dhe varianteve të reja shqetësuese të virusit. Njerëzit që vijnë nga vendet "e gjelbërta" do të duhet të testohen por nuk do të përballen me karantinë.

Qeveria gjithashtu po teston një sistem të "çertifikimit të statusit të COVID-it" - shpesh të quajtur "pasaporta vaksine" - që do të lejonte njerëzit që kërkojnë të udhëtojnë ose të marrin pjesë në aktivitete për të treguar se ose kanë bërë një vaksinë koronavirus, kanë testuar negativ për virusin , ose kishin pasur së fundmiCOVID-19, çka do t’u jepte një shkallë imuniteti.

Një sërë aktivitetesh do të fillojnë këtë muaj, përfshirë ndeshje futbolli, komedi dhe gara maratonë. Qeveria tha se aktivitetet e para do të mbështeten vetëm tek testimi", por më pas vaksinimi dhe imuniteti i fituar pritet të jenë mënyra alternative për të demonstruar statusin."

Çështja e pasaportave të vaksinave është debatuar shumë në të gjithë botën, duke ngritur pikëpyetje se sa të drejtë kanë qeveritë, punëdhënësit dhe vendet të dinë për statusin e virusit të një personi. Ideja kundërshtohet nga një numër i gjerë ligjvënësish britanikë, nga politikanët e opozitës në qendër të majtë deri tek anëtarët e Partisë Konservatore të zotit Johnson dhe politika mund të përballet me kundërshtime të ashpra kur ajo të diskutohet para Parlamentit më vonë këtë muaj.

Ligjvënësi konservator Graham Brady tha se pasaportat e vaksinave do të ishin "ndërhyrëse, të kushtueshme dhe të panevojshme". Kreu i Partisë Laburiste të opozitës, Keir Starmer, e quajti idenë "jo-Britanike".

Qeveria tha se pasaportat e vaksinave ishin të pashmangshme, pasi me siguri shumë vende do të kërkonin prova të statusit COVID-19 për hyrje.

Megjithatë qeveria tha se pasaportat e vaksinave nuk do të ishin kurrë të nevojshme për të përfituar nga "shërbimet thelbësore publike, transporti publik dhe dyqanet e domosdoshme".

Zoti Johnson e pranoi që pasaportat e vaksinave ngrenë "çështje të ndërlikuara etike dhe praktike" dhe theksoi se përdorimi i tyre nuk do të vinte menjëherë.

"Jemi end larg finalizimit të planeve për çertifikimin e COVID-it në Mbretërinë e Bashkuar," tha ai. /VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat